
TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë këtë të mërkurë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës për ekstradimin në Rusi të Igor Kukonov. Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi. Kukonov më herët kërkoi azil në Shqipëri, por kërkesa iu refuzua dhe togat e zeza i dhanë “dritën jeshile” ekstradimit të tij.
“Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale I. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse. Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami, vendosi: -Lënien në fuqi të vendimit nr.578 (4901), dt.14.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. -Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në vendimin e sotëm.
Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit. Ai akuzohet për vepra të rënda që parashikojnë dënim mbi 15 vite burgim. Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm. Gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh./ZËRI