
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën e Klodian Rjepajt, ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, për lirimin e tij nga qelia. Rjepaj kërkoi zëvendësim të masës me një masë më të butë, me argumentin se tashmë hetimi ka përfunduar dhe se dosja do të dërgohet në gjykatë, ku do të njihen dhe me dënimin përfundimtar për koncensionin e sterilizimit.
Në të njëjtin gjykim në Apel Rjepaj kundërshtoi edhe vendimin e Shkallës së Parë për zgjatjen e afatit të hetimit ndaj tij me 1 muaj e 15 ditë. Klodian Rjepaj është marrë i pandehur nga SPAK për "shpërdorim të detyrës" dhe "falsifikim të dokumenteve" në dosjen e “Sterilizimit”.
Pak ditë më parë SPAK mbylli hetimet dhe ngriti zyrtarisht akuzat për 9 personat e përfshirë në këtë dosje.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.
Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln Euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.