
TIRANË - Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i hapë rrugë ekstradimit të Dritan Goxhajt, ish-ushtar i UÇK-së. Goxhaj u arrestua në Tiranë, me urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me qëllim ekstradimin në Hagë.
Gjykata e akuzon Goxhajn se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Protesta në mbështetje të Dritan Goxhajt
Në të njëjtën kohë që po mbahej gjyqi ndaj ish-ushtarakut të UÇK-së në Tiranë, qytetarë të shumtë kanë dalë në shesh në mbështetje të tij.
Me pankarta në duar, simbole kombëtare dhe plisa në kokë, shqiptarët kanë mbështetur Goxhajn. Qytetarët thanë se arrestimi i Goxhajt është i padrejtë. Një nga protestuesit tha se arrestimi i ish-ushtarakut të UÇK-së është padrejtësi.
Arrestimi i Goxhajt u bë për llogari të Gjykatës Speciale të Kosovës. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Pengim i funksionarëve zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Akuzat ndaj Goxhajt dhe mbrojtja
Dritan Goxhaj akuzohet nga Specialja se ka kërcënuar dëshmitarët në procese gjyqësore për krime lufte, që mbahen në Hagë. Goxhaj ka mohuar akuzat që ngrihen kundër tij, ndërsa Gjykata në Tiranë kërkoi edhe material shtesë nga Kosova përpara se ta merrte vendimin.
Edhe pse Goxhaj tha se ka bërë vetëm shkrime dhe ka shkruar në rrjetet sociae, gjykata lejoi ekstradimin e tij. Dritan Goxhaj është djali i ish-shefit të Shtabit të UÇK-së dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj, i cili u bë vullnetarisht pjesë e luftës në Kosovë.
I biri më pas iu bashkua UÇK-së si oficer i ushtrisë shqiptare, ku një nga detyrat që kishte ishte të mbante kontakte me komandon e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Kosova miratoi në parlament më 2005 ngritjen e Gjykatës Speciale për të gjykuar rastet që dyshohen për krime lufte. Në Hagë janë në proces gjyqësor dhe duke u mbajtur në burg liderë të UÇK-së, që u bënë më vonë personalitete politike si Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi./Zëri.ai/