Aktualitet

Zjarri në pallatin në Tiranë, Policia e referon si aksident, fasada ende pa ekspertizë

Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes, bëhet me dije se ende është në pritje të autorizimeve nga prokurori i çështjes për të vijuar me marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, përfshirë këtu pronarin e pallatit, Tanush Mëhillaj.

k.m.
Zjarri në pallatin në Tiranë, Policia e referon si aksident,
Pamje nga zjarri tek ish-Parku

TIRANË- Shkaku për zjarrin në pallatin e djegur në zonën e ish-Parkut ishte aksidental. Deri tani mendohet se shkak për zjarrin ishte mbinxehja e kondicionerit. Të paktën kështu ka raportuar Policia e Tiranës në Prokurori, duke shpjeguar se nuk kishte asnjë shkak konkret për zjarrin që përfshiu dhe shkrumboi pallatin 10-katësh në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.

Megjithatë, edhe pse raporti paraprak është dorëzuar, sërish vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen. Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes, bëhet me dije se ende është në pritje të autorizimeve nga prokurori i çështjes për të vijuar me marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, përfshirë këtu pronarin e pallatit, Tanush Mëhillaj.

Gjithashtu, Policia e Shtetit deri më tani ende nuk e ka siguruar akt-ekspertimin e analizës së llojit të materialit që është veshur fasada e jashtme e pallatit, e cila rezultoi fatale për përhapjen e zjarrit. Sipas raportimeve paraprake, materiali i përdorur ishte polisterol, që 'ndihmoi' në përhapjen e zjarrit, që paraprakisht nisi në katin e dytë. Po ashtu, sistemi kapot do të duhej të ishte rezistent ndaj zjarrit, gjë e cila nuk rezultoi e tillë. Pallati 10-katësh ka përfunduar ndërtimin në vitin 2021.

Zëri.ai shkoi dhe takoi nga afër banorët që kanë përfunduar në mes të rrugës. Po ashtu, Zëri.ai kontaktoi me Bashkinë Tiranë dhe ndërtuesit e pallatit, kompania 'T.B.M Contruksion 2016' me aksioner Tanush Mëhillaj e Armando Pajtoni, për tu dhënë përgjigje disa prej pyetjeve që kërkojnë të marrin përgjigje. Por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë një sqarim lidhur me dëmshpërblimin dhe zgjidhjen e çështjes së strehimit të atyre që kanë mbetur në 'qiell të hapur'./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB