
LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Dorian Keqin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Energjisë Elektrike për Veriun, Saimir Jaku.
Keqi do të përballet në gjykatë me akuzën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”. Dorian Keqi u vu në pranga në shtator të vitit 2022. 40-vjeçari me banim në Krujë ishte në makinë me Ervin Bamin (i skeduar për ngjarje kriminale) dhe një person të tretë të identifikuar si E.Sanaj.
Tre të rinjtë janë marrë në pyetje nga patrulla e Policisë dhe për shkak se Dorian Keqi ka qënë i dehur, është shoqëruar në Polici, ku i kanë marrë edhe gjurmët e gishtave që u përputhën me ato që kishte lënë te bidoni me benzinë që u gjet në vendin ku autorët kishin djegur makinën pas vrasjes së Jakut dhe plagosjes së Gjergj Prengës.
Keqi u ka kërkuar hetuesve që ta linin të lirë, duke pretenduar se është murator dhe nuk ka asnjë lidhje me krimin, madje pretendon se bën një jetë të thjeshtë, si murator dhe punëtor krahu, por pretendimet e tij nuk janë marrë parasysh.
Si u vra ish-drejtori i OST-së Saimir Jaku?
Jaku u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016-të. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij, Gjergj Prenga, i cili nga të shtënat mbeti i plagosur. Autorët e ngjarjes të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorian Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit.