
VLORË- Forcat e Policisë të ndihmuara dhe nga ekipet RENEA kanë kryer disa kontrolle blic mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku kanë ndaluar të paktën 5 persona, në lokale të ndryshme të qytetit, dy prej të cilëve dyshohet se do të kryenin vrasje, dhe iu janë gjetur armë pa pa leje. Aksioni nisi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa të dyshuarit janë mbajtur nën vëzhgim dhe nga persona të infiltruar.
Në mesin e personave të vënë në pranga është edhe Santiljano Basho vëllai i Tesi Bashos, i njohur ndryshe dhe si ‘i forti i Selenicës”, i arrestuar më 16 tetor 2019.
Tesi Basho i identifikuar si një prej personave më të rrezikshëm në Selenicë, ka dhe një dënim me burg përjetë në shtetin italian. Basho iu ka marrë jetën dy vajzave që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, një prej të cilëve e shfrytëzonte edhe vetë.
Ai ishte arrestuar në vitin 2016 në Itali, por vetëm pak kohë më vonë duke shfrytëzuar transferimit e tij pas tërmetit që "shkundi" Italinë, së bashku me dy shok të tjerë qelia u arratis nga dritarja e burgut, me çarçaf dhe shkopa fshese. Ai ra në prangat e policisë më 16 tetor të vitit 2019 po në Vlorë, ndërsa asokohe me vete ju gjet dhe një arsenal armësh.
Zëri.ai mëson se një tjetër person që është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës është dhe shtetasi Bruno Shehu, me të shkuar kriminale.
Shehu është arrestuar në 19 janar të vitit 2016 në Manëz të Durrësit së bashku me shtetasit Gazmend Dervishi dhe Dritan Nikolli, me dyshimin se kishin marrë një shumë prej 10 mijë eurosh për të ekzekutuar një person në Durrës.
Po ashtu në pranga kanë rënë shtetasit Mariglen Aliaj, Mehmet Hoxhaj, Beraldo Xhindi dhe Kevin Metaj. Sipas policisë Aliaj dhe Basho janë kapur me armë gati për qitje, ndërkohë që personat e tjerë kanë pasur dijeni në lidhje me personat e armatosur. Nuk dihet ende se kë kishin obvjektiv për të eleminuar dy personat e arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar "Obelisk", i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA” dhe Komisariatin e Policisë Vlorë.
Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve, në bazë të inteligjencës policore, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri.
Të armatosur në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm. Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal me 2 shtetasit e armatosur.
Të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Vlorës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, vënien në pranga të shtetasve të rrezikshëm për komunitetin, pjesëtarë të grupeve kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qendronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar "Obelisk", si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: S. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; M. A., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; B. Sh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit"; M. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit"; B. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit"; K. M., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve S. B. dhe M. A., dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë.
Ndërkaq, 4 shtetasit e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë patur dijeni për 2 shtetasit e armatosur dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./Zëri