Aktualitet

Mbi 11 mijë rrënjë kanabisi në Velipojë, pezullohen 4 shefa policie

Vendimi u mor pas gjetjes së parcelave me kanabis më 14 shtator 2023, pas një operacioni të zhvilluar në territorin e njësisë administrative Velipojë, pas informacionit të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

F.m
Mbi 11 mijë rrënjë kanabisi në Velipojë, pezullohen 4
Kanabis në Velipojë

SHKODËR- Nënkomisar Pal Prendi, shef i Stacionit të Policisë Velipojë është pezulluar nga detyra bashkë me tre zyrtarë të tjerë të të njëjtit stacion policor pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se bashkë me Prendin janë pezulluar dhe nënkomisar Ardian Çuli specialist i njësisë “Shqiponja”, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër; nënkomisar Admir Xhaka, specialist për hetimin e krimeve në zonën ku u gjetën bimët narkotike si dhe inspektor i parë Arben Tahiraj.

Vendimi u mor pas gjetjes së afro 11 mijë bimëve narkotike më 14 shtator 2023, pas një operacioni të zhvilluar në territorin e njësisë administrative Velipojë, pas informacionit të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Katër zyrtarët akuzohen për mospërmbushje të detyrave (shkelje e parashikuar nga neni 209/1 i rregullores së Policisë së Shtetit). Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar administrativ, për nxjerrjen e përgjegjësive lidhur më këtë rast.

Njoftimi nga Policia e Shtetit:

Si rezultat i inteligjencës policore, të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e njësisë administrative Velipojë.  Asgjësohen nëpërmjet djegies 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në këtë fshat.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ngriti një grup të posaçëm hetimor, për të përcaktuar përgjegjësinë e strukturave përkatëse vendore, për shkaqet e mosevidentimit të kësaj veprimtarie kriminale, nga vetë këto struktura, deri në këto momente.  Nga hetimet paraprake, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezulloi nga detyra, për mospërmbushje të detyrave (shkelje e parashikuar nga neni 209/1 i rregullores së Policisë së Shtetit), 4 punonjës policie:

- Nënkomisar P. P., shef i Stacionit të Policisë Velipojë, njëkohësisht përgjegjës për monitorimin e zonës;

- Nënkomisar A. Ç., specialist i njësisë “Shqiponja”, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër;

- Nënkomisar A. Xh., specialist për hetimin e krimeve në zonën ku u gjetën bimët narkotike;

- Inspektor i parë A. T., ndihmësspecialist (SPZ) në zonën ku u gjetën bimët narkotike;

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ato të Stacionit të Policisë Velipojë, pas informacionit të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në territorin e njësisë administrative Velipojë. Si rezultat, janë gjetur të kultivuara 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Një pjesë e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar nëpërmjet djegies.  Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, dhe po punohet për dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Poll

MOS HUMB