
PRISHTINË- Kontigjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë, ka mbërritur të premten në Kosovë. Lajmi është bërë me dije nga misioni paqeruajtës i forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Shtimi i trupave paqeruajtëse në Kosovë, vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Ushtarët nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit po i bashkohen një kontingjenti prej 400 trupash britanike tashmë në Kosovë. Qeveria rumune të martën (3 tetor) njoftoi se po dërgonte gjithashtu rreth 100 trupa shtesë për të forcuar KFOR-in.
Këto dislokime janë një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Dislokimi bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4 500 trupa ushtarake nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s. Edhe Gjermania pritet të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm.
Kosova u përfshi nga tensionet së fundmi, pasi një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës u shënua në Banjskë të Zveçanit, ku u vra efektivi Afrim Bunjaku./Zëri.ai/