
DURRËS- Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Durrësit, procesi i legalizimit të pronave ishte një nga debatet kryesore mes mazhorancës dhe opozitës. Maxhoranca e qytetit bregdetar ka nisur nga puna për krijimin e grupit të punës që do të merret me çështjen e legalizimit, por nisma është kundërshtuar nga opozita në mbledhje. Përfaqësuesit e opozitës e cilësuan procesin e legalizimit si një tentativë për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Për 12 vite Partia Socialiste nuk e ka zgjidhur çështjen e legalizimi që ka qenë e rëndësishme për banorët e Durrësit. Po e kërkoni 1 vit kontratë me Kadastrën që njerëzit të përplasen në dyert e bashkisë. Doni të ndërhyni në zgjedhje”, tha Dritan Burgija.
Nga ana tjetër, maxhoranca tha se krijimi i kësaj njësie do të ndihmojë pushtetin vendor të shqyrtojë procesin, pasi janë 15 mije dosje legalizimesh që duhet të rivlerësohen. Si përfundim, nisma u miratua vetëm me votat e maxhorancvës.
Vendimi se procesi i legalizimit do të udhëhiqet nga Bashkitë dhe jo më nga Kadastra u mor nga kryeministri Rama në korrik të këtij viti. Sipas Ramës, ky proces do të ndihmojë qytetarët dhe do të monitorojë punët e Kadastrës. Ishte vetë kreu i qeverisë që prezantoi nismën dhe shpërndau dokumentat e parë nga Himara, pranë kryebashkiakut (tashmë të zgjedhur), Vangjel Tavo. Po ashtu, të njëjtin proces e ka zhvilluar edhe në Theth./ZËRI