
TIRANË- Të fshehësh fytyrën dhe gjurmët e gishtave teksa kryen një krim është gjëja më e vështirë. Sidomos në ditët e sotme, kur thuajse çdo cep i vendit ka kamera sigurie. Por kush e ka problem, e gjen zgjidhjen, siç edhe ka ndodhur në rastet e mëposhtme të përmbledhura nga ZËRI. Mënyra më e zakontë është të bëhesh njësh me turmën, ndaj në kohën e pandemisë, shumë ngjarje kriminale u finalizuan nga persona që mbanin në fytyrë maskë koronavirusi. Ndaj, zgjidhja më e mirë është parë ajo e maskave të silikonit që blihen shumë lehtë në Amazon, për më pak se 20 mijë lekë të vjetra. Ato mund të jenë përdorur edhe më parë, por dokumentimi i parë është gjatë aksioneve që zhvillonte e ashtuquajtura, banda e “Babagjyshëve”.
Grupi i përbërë nga 11 persona ishin kthyer në tmerrin e bizneseve në vitin 2014 duke shënjestruar vjedhjen e disa argjendarive në Tiranë, qytete të tjera brenda vendit, por edhe jashtë. Banda përbëhej nga; Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian Qerushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi, Hajdar Sefa, Lin Kala, Edmond Selala, Angjelin Ndreka. Në mesin e grabitjeve të bujshme të argjendarive të grupit, është ajo e vitit 2014 në qendrën tregtare në Tiarnë, TEG, ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri. Sigurisht...të maskuar! Kryesorja ishte veshja si "Santa Claus", por nuk mjaftoheshin vetëm me mjekër. Disa prej anëtarëve mbanin maska silikoni për të mbuluar krejtësisht tiparet e tyre. Por kjo nuk i shpëtoi dot nga prangat. Megjithatë "shtruan" rrugën për "kolegët" e tyre.

Më 9 prill 2019, ndodh një nga grabitjet më të mëdha që është shënuar në vend, ajo e Rinasit. Gjithçka ndodhi në më pak se 5 minuta në një koordinim perfekt, plan i mirëmenduar nga 40-vjeçari Admir Murataj, i cili vetë mbeti i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit me Policinë. Këta të fundit as që e kishin parë një personazh të tillë për një arsye shumë të thjeshtë, maskën e silikonit që ai mbante në kokë. Maska që përdori ai gjendet lehtësisht në internet dhe kushton bashkë me transportin vetëm 33 dollarë. Përveç fytyrës ajo mbulon edhe qafën dhe një pjesë të gjoksit. Me të u bë i paidentifikueshëm, por kjo nuk e ndihmoi që t'i shmangej plumbit që do t'i merrte jetën.


Për shkak të rëndësisë së grabitjes, e cila vuri në dyshim edhe sigurinë kombëtare, por edhe prej mbulimit në media, kjo metodë u "përqafua" shpejt edhe nga kriminelë të tjerë.
Më 21 tetor 2020, Gridi Lena dhe Altin Hoxha kishin vënë maska silikon kur hynë me një armë në dorë për të qëlluar biznesmenin, Andon Dhima. Por ky i fundit shpëtoi pasi u fut shpejt në ashensor, ndërsa autorët u larguan pa rënë në sy, duke dalë nga pallati. Pas lanë maskat që nuk i shpëtuan dot nga prangat dhe dënimi për krimin, që fatmirësisht nuk kryen dot.

Përgjatë 2021 dhe 2022 ky trend sikur u zbreh pasi më në "modë" ishin maskat e koronavirusit. Në fund të fundit, kur 99% e qytetarëve mbajnë të tilla, është mënyra më e mirë për t'u kamufluar me turmën. Me hyrjen e 2023, trendi u rikthye sërish! Qershori i vitit 2023, shënoi disa grabitje. Të vetëdijshëm se po filmoheshin nga kamera sigurie, autorët nuk shqetësoheshin aspak pasi ishin të kamufluar me maska silikoni. Ndaj me qetësi hapën automjetin “Range Rover” dhe u larguan...

Skemën e kishte mësuar edhe 26-vjeçari Ragip Gila. Më 6 dhjetor, 2023, Policia zbuloi një tjetër depo armësh në Shkodër, e cila ishte e kamufluar në banesën e të riut. Atje, Policia gjeti 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza dhe sigurisht maska e paruke.

Padyshim që nuk mund të mungonin! Por nëse ishin përdorur ndonjëherë në aksion, këtë pyetje nuk e ka zbardhur ende as Policia.
Sesi mund të përdorej më së miri, e pamë më së miri në aksion. Panajot Xhaja, i riu shqiptar me origjinë nga Dimali, i arrestuar në Mal të Zi ishte maskuar si një murgeshë për të finalizuar vrasjen e dy mafiozëve grekë Yannis Skaftouros në maj 2022 në Dervenochoria dhe Vassilis Roubetis në qershor 2023 në Korydallos. Edhe pse arriti të fshihej për disa muaj, maska nuk e mbrojti dot përgjithmonë të fshehur identitetin e tij.



Më së fundmi, rikthimin e “MASKËS” e dëshmuam në Vlorë, në depon e armëve që Policia gjeti në Babicë. Atje kishte një arsenal armësh zjarri, nga stilolapsat pistoletë deri tek snajperat. Mjaft të zgjidhje. Por ajo që nuk mungonte gjithashtu ishte dhe një maskë. Fytyra e një të moshuari ishte ‘gdhendur’ në silikon, e shumë shpejt mund të qarkullonte lirisht nëpër Vlorë ose gjetkë. Kush do të dyshonte?


Me vetëm minimalisht 20 euro, kriminelët mund të fshehin idenitetin e tyre me maska silioni, të paktën këtë do të përdorin derisa nesër të dalë një metodë e re. Deri më tani, zbatohen ‘leksionet’ e “Babagjyshëve” dhe e Admir Muratajt./ZËRI