
TIRANË- Tani që ka nisur "të flasë" me drejtësinë, duket se Nuredin Dumani nuk po ndalet. Së fundmi ka rrëfyer se në disa ngjarje kriminale ka qenë i përfshirë edhe vëllai i tij, Dashamir Dumani. Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të disa viteve më parë, e njohur për publikun si masakra e Bradasheshit, ku u vranë 3 persona, mes tyre edhe Indrit Alibej. Në rrëfimin e tij para hetuesëve të SPAK, Dumani tha se i vëllai ka informacione për atë çfarë ka ndodhur natën e 28 dhjetorit, ndërsa theksoi se vetëm Dashamir Dumani mund të japë sqarime më të detajuara për atentatin që tronditi Elbasanin.
Gjithashtu, gjatë ballafaqimit që ka patur me Fatos Gosën, një nga të arrestuarit e dosjes “Plumbi i Artë”, Dumani ka pretenduar se ai ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ekzekutimin e Andi Zylyfit.
"Ishte informator,"-mësohet se është shprehur ai për Fatos Gosën, ndërsa ky i fundit e ka kundërshtuar. Po ashtu, ka shtuar se nuk ka informacion lidhur me vrasjet e ndodhura, e po ashtu përsëriti disa herë se nuk ka asnjë njohje me Nuredin Dumanin. Megjithatë, nuk e ka mohuar njohjen e tij me të shumëkërkuarin Talo Çela. Ai është shprehur se Talo Çela ka një lokal në Peqin, ku aty mblidhenin gjatë fushatave për takime zgjedhore.
Ç'ndodhi në Bradashesh?
Tre ditë para ndryshimit të viteve në dhjetor të 2018-ës, 3 persona, mes tyre edhe një shtetas turk, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”. Dy shqiptarët e vrarë ishin Endrit Alibej 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe Erdal Durunay, 51 vjeç. Në shtator të 2020, në prangat e Policisë ra Erion Alibej, vëllai i Endritit. Ai akuzohet se ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës.
Pasi iu vra vëllai, Erion Alibej kishte nisur një “fushatë spastrimi” për t’u hakmarrë. Ai u arrestua nga Policia më shtator të vitit 2020 për porositjen e vrasjes së 2 personave në Korrik, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Po ashtu, Alibej është i dyshuar kryesor edhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës, pranë të njëjtit vend ku u qëllua pak ditë para ndërrimit të viteve Endriti. Mirëpo ironia qëndron në faktin se për të gjithë këto vrasje ka paguar Nuredin Dumanin, të njëjtin person që pretendohet se i ka vrarë të vëllanë./Zëri.ai