
TIRANË- Një ngjarje e pazakontë është raportuar nga dy punonjës të policisë në Tiranë, të cilët në makinën e shërbimit kanë gjetur një çantë të zezë, në të cilën kishte një pistoletë TT.
Ka qenë një efektive e patrullës në komisariatin nr 1 në Tiranë së bashku me kolegun e saj, e cila ka gjetur armën e fshehur, teksa ishte duke kërkuar një send personal që i kishte humbur.
Në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit kanë gjetur një çantë të zezë meshkujsh të mbuluar me pluhur. Kur e kanë hapur brenda saj kanë gjetur një pistoletë TT. Arma është dërguar në laborator për të analizuar shenjat e gishtave.
Deri tani dyshimet janë që arma të jetë lënë aty nga ndonjë person i shoqëruar që mund të ketë qenë i armatosur.
Ai dyshohet se ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve dhe e ka fshehur armën poshtë sediljes së makinës. Akoma nuk dihet sesa kohë ka patur arma e fshehur brenda makinës së policisë ndaj hetuesit dhe Agjensisë së Mbikqyrjes Policore nuk kanë akoma ndonjë emër të dyshuar. Duke marrë parasysh pluhurosjen e çantës, ka dyshime se ajo mund të jetë lënë aty për një kohë të gjatë, dhe kjo e bën edhe më të vështirë identifikimin e poseduesit të saj./Zëri.ai