
TIRANË- Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë me një vendim sot për marrëveshjen me Italinë për kampin e emigrantëve. Pas më shumë se 8 orësh diskutime në sallë, trupa gjykuese vendosi që të shtynte dhënien e vendimit më 24 janar. Në orën 11.30, Gjykata do të vendosë se çfarë do të ndodhë me marrëveshjen. Pas përfundimit të seancës së sotme, Gjykata Kushtetuese sqaron se do të shqyrtojë Traktatin e Miqësisë të 1995, të cilin qeveria e ka paraqitur si provë. Kjo provë u gjykua e rëndësishme nga Kushtetuesja, ndaj edhe seancën e ardhshme, Traktati do të jetë "kryefjalë". Po ashtu, Gjykata konstatoi edhe mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës. Kjo pasi marrëveshja është kaluar vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Njoftimi i plotë nga Gjykata Kushtutuese:
1. Sot në datën 18.10.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (kërkuesi), me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.
2. Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë (Kuvendi), Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe Avokatit të Popullit si edhe provat e paraqitura nga keto subjekte, ndersa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës.
3. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.
4. Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.
Çështja u dërgua në Kushtetuese nga opozita. 30 deputetë të opozitës e konsiderojnë marrëveshjen mes dy vendeve si cënuese të Kushtetutës së Shqipërisë por dhe të ligjit ndërkombëtar. Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Sipas dokumentit, Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./ZËRI