Aktualitet

Maji i ‘përgjakshëm’, 5 viktima në punë, por institucionet ‘kyçin gojën’

Askush nuk flet për jetët e humbura në vendin e punës të Emiliano Frrokut, 28 vjeç, Preng Gjonit, 50 vjeç, Armond Peshkut, 29 vjeç, Jurgen Veshit, 24 vjeç dhe Ardian Fejzullahut, 55 vjeç, por le ti marrim me radhë.

Edon Kuqi
Maji i ‘përgjakshëm’, 5 viktima në punë, por
Viktmat dhe gazetari Edon Kuqi

TIRANË- Pesë persona humbën jetën në vendin e punës përgjatë Majit 2024, duke përgjakur muajin dhe duke ngritur alarmin për kushtet e sigurisë në punë. Kategoritë më të prekura, janë punëtorët e ndërtimit dhe minatorët, një alarm që prej vitesh ngrihet nga shoqëria, por që institucionet heshtin. Askush nuk flet për jetët e humbura në vendin e punës të Emiliano Frrokut, 28 vjeç, Preng Gjonit, 50 vjeç, Armond Peshkut, 29 vjeç, Jurgen Veshit, 24 vjeç dhe Ardian Fejzullahut, 55 vjeç, por le ti marrim me radhë.

Në mëngjesin e 9 Majit, 28-vjeçari Emiliano Frroku, ishte nisur si çdo ditë në vendin e punës, pa e ditur se ai mëngjes do të ishte i fundit për të dhe në darkë nuk do të kthehej si çdo ditë tek familja e tij. Frroku ra nga kati i 9-të i një kompleksi pallatesh që po ndërtoheshin në zonën e Kunës, në Shëngjin. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spitalin e Lezhës, i riu nuk u mbijetoi dot plagëve të marra, duke u bërë viktima e parë e muajit e Maj, që do kthehej në të përgjakshëm. Instiutucionet në reagimin e tyre, u mjaftuan me fjalët se po ndërmarren masat për verifikimin e dokumentacionit, por asgjë më tej.

Pa u bërë të tretat e Emiliano Frrokut, Preng Gjoni, 50 vjeç vdiq në një kantier ndërtimi po në Kune të Shëngjinit. Ishte ora 11:30 minuta kur një dërrasë shkëputet dhe godet fatalisht në kokë Gjonin. Ky i fundit vdes në vendin e ngjarjes, ndërsa disa persona e transportojnë me makinë private drejt spitalit të Lezhës dhe më pas zhduken, duke e lënë në derën e emergjencës. Më pas, Policia e Lezhës nis një aksion dhe çoi në pranga administratorin e firmës së ndërtimit, “Kovaci Termo”, por sot që flasim, ngjarja ku humbi jetën Gjoni, ka zënë pluhurin e harresës për shkak se ngjarje të tjera do e pasonin, ndërsa po të shikosh pamjet e kompleksit në ndërtim do shohësh se kushtet e punës, janë fjalë që nuk njihen.

10 ditë pas vdekjes së Gjonit në Shëngjin, një prej galerive në Thekën të Bulqizës do të përgjakej. Dy minatorë të cilët punonin si vagonistë në minierë u zunë poshtë nga shembja e një masivi mineral teksa po punonin. Armond Peshku, 29 vjeç humbi jetën, ndërsa Hajdar Bala u plagos rëndë. Një ditë pas ngjarjes, Policia vuri në pranga administratorin e firmës 'Ylberi sh.p.k", për shkelje të rregullave në punë. Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri është shembur një masiv gurësh, duke zënë poshtë dy minatorët.

Më 22 Maj, 24-vjeçari, Jurgen Veshi ishte nisur si çdo ditë për të shkuar në vendin e punës, në një gurore në Brataj të Vlorës, pa e ditur se ai mëngjes do të shënonte dhe ditën e fundit të jetës së tij. I riu u zu poshtë nga një masiv gurësh, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Jurgen Veshi punonte me skrep në gurore, por në momentin kur ndodhi ngjarja, ai ishte jashtë mjetit, duke e rregulluar. Familjarët akuzuan drejtuesit e firmës për shkelje të rregullave në punë, gjë që u konstatua dhe nga autoritetet pas verifikimeve. Dhe pse i ri në moshë, Jurgen Veshi kishte përgjegjësi për të mbajtur familjen, pasi ishte i vetmi që punonte. Pas ngjarjes, Policia arrestoi vetëm drejtuesin teknik të “Brataj Stone 22”. Ndërkohë kompania nxirrte gurët pa pasur leje pune. Ajo që e bën dhe më të rëndë ngjarjen është reagimi i Kryeispektores së Inspektoriatit të Punës në Vlorë, Marsela Selmanaj. Kjo e fundit do të deklaronte se nuk janë kryer kontrolle pasi ka mungesë stafi. Po ashtu tha se ka me qindra biznese jashtë kontrollit. Pyetje që shtrohet është, për kë do bien këmbanat e radhës?

Ardian Fejzullahu, 55 vjeç vdiq më 27 Maj teksa punonte në ndërtimin e një kompleksi pallatesh në rrugën “Aleksdandër Moisiu”. Fejzullahu kishte pesë ditë që kishte filluar punë pranë kompanisë, “Andi Construction”. Ai po mbante kovat me llaç, kur bie nga kati i shtatë i objektit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Në lidhje me ngjarjen, Policia ka vënë në pranga vetëm drejtuesin teknik të kompanisë, ndërsa siç shihet dhe nga pamjet pas ngjarjes, në pallatin që po ndërtohet mungojnë skelat dhe rrjetat mbrojtëse. Fejzullahu ishte kthyer nga Greqia bashkë me bashkëshorten, për të jetuar dhe punuar në atdheun e tyre, pa e ditur se kthimi i tij në atdhe, do ishte dhe fundi I tij.

Pesë viktimat që përgjakën muajin Maj, nga dheu kërkojnë sot drejtësi për jetën e tyre, ndërsa familjarët ndihen të zhgënjyer. Institucionet pas çdo ngjarjeje, bëjnë një lëvizje dhe më pas heshtin.

Kush mban përgjegjësi për jetët e humbura?

Kush është përgjegjësia e Inspektoriatit të Punës?

A i kanë bërë institucionet detyrat e shtëpisë?

Këto pyetje mbeten ende pa përgjigje, pasi ZËRI tentoi të komunikonte me drejtuesit e Inspektoriatit të Punës, por ashtu si dhe qytetarët e gjeti ‘derën” e mbyllur. Kush e ka radhën tani?/ZËRI

Poll

MOS HUMB