
KURBIN- Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon në të gjithë vendin, ndërsa policia është bërballur me protessta kryesisht nga pronarët e bizneseve, të cilët kërkojnë ndalimin e këtij aksioni. Ndërkohë në qytetin e Laçit tregtarët kanë protestuar mëngjesin e kësaj të mërkurë përpara Bashkisë së Kurbinit. Në përgjigjë të kërkesës së largimit nga hapësirat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, ata kanë kërkuar zgjidhje nga autoritetet.
Ata shprehen se ky vendim është i padrejtë, duke mos ofruar asnjë zgjidhje alternative dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Duke folur për mediat, një shitëse ambulante shpreh shqetësimin e saj, pasi nuk ka tjetër përkrahje, teksa shton se bashkia nuk po i jep rrugëzgjidhje.
“Kam 15 vite shitëse ambulante, merrem me shitjen e rrobave. Burrin e kam me dializë. Ne kemi dalë për hall jo për qejf. Dje më erdhi policia dhe më tha ose hiqi rrobat nga aty ose do t’i marrim e do ti hedhim te kamionçina. Bashkia nuk po na jep rrugëzgjidhje, nuk kemi përkrahje,”-tha një shitëse.
Përballë kësaj situate, Bashkia Kurbin përmes Kryeinspektorit të IVMT, Jetmir Mzhika, ka njoftuar planin e ndërtimit të një tregu të ri, duke mos dhënë më shumë detaje. Ndërsa lidhur me kundërshtimin e tregtarëve ambulantë, Bashkia sqaron se këta të fundit nuk janë të formalizuar dhe kanë zaptuar hapësira publike.
“Bashkia Kurbin nuk ka dalë për t’i prishur punë, por duke qenë se shesin në trotuare dhe bllokojnë kalimin e qytetarëve në jemi në aksion për të liruar hapësirat publike. Aty do të bëhet edhe një kantier ndërtimi dhe ne nuk mund ti lëmmë qytearët të rrinë në një vend ku kalojnë mjete të rënda. Bashkia po punon për gjetjen e sipërfaqes së duhur që tregtarërt ambulantë të sistemohen përgjithmonë”, tha Jetmir Mzhita, kryinspetor i IVMT-së./ZËRI