TIRANË- Shërbimi Social Shtetëror në përgjigjen e kthyer për ZËRI-n, pas interesimit tonë në lidhje me rastin e Lindita Lamajt dhe djalit të saj Indrit Maloku në Fier, i cili vuan nga problemet e shëndetit mendor, bën me dije se 26-vjeçari do të dalë sërish përpara Komisionit Shumë-Disiplinor të Vlerësimit të Aftësisë për një ri-vlerësimin. Pas denoncimit të Lindita Lamajt pranë redaksisë tonë, ZËRI iu drejtua zyrtarisht SHSSH, në lidhje me rastin, ku zonja Lamaj, pretendon se i është bërë padrejtësi në vlerësimin e djalit nga komisioni i muajit shkurt 2024. Indrit Maloku do të dalë para Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, brenda 60 ditëve, nga data kur u bë ankimimi, 4 Prill 2024.
“Përshëndetje. Lidhur me ankesën e znj. Lindita Lamaj pranë Redaksisë së Zëri Tv, ju informojmë si më poshtë vijon: Z. Indrit Maloku, djali i znj. Lindita Lamaj, është vlerësuar nga Komisioni Shumë-Disiplinor i Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar Fier, komision i cili bazuar në dokumentacionin mjekësor dhe intervistën e realizuar në muajin Shkurt 2024, e ka vlerësuar përfitues në nivelin 2 (i moderuar). Me marrjen e vendimit z. Maloku ka ankimuar vendimmarrjen e KVSHAK Fier në datë 4 Prill 2024 dhe do të vlerësohet pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave brenda afatit ligjor 60 ditor. Lidhur me gjendjen social-ekonomike të familjes së znj. Lamaj, sqarojmë se znj. Lamaj prej muajit Maj 2023-Prill 2024 trajtohet me Ndihmë Ekonomike në masën 9900 lekë si viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare. Në vijim znj. Lamaj mund të aplikojë në Sistemin e Ndihmës Ekonomike pranë njësisë administrative ku banon. Ju faleminderit”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Social Shtetëror.
Rasti i Indrit Malokut u bë publik nga ZËRI pas denoncimit të nënën së tij Lindita Lamaj. Familja jetonte në kushte ekstreme varfërie, ndërsa Lindita shprehej se i është bërë padrejtësi në diagnostikimin e djalit, me qëllim që ajo të mos përfitonte kujdestarinë e tij, në kushtet ku ai është i paaftë të kontrollojë dhe ti shërbejë vetes.
Me të marrë ankesën ZËRI iu drejtua institutucioneve përgjegjëse në Fier, e më pas në Tiranë, pranë zyrave të Shërbimit Social Shtetëror, ku u përball me arrogancën e punonjësve, të cilët u “ngujuan” në institucion për të mos iu përgjigjur pyetjeve tona. Në fund dera e institucionit u hap dhe ZËRI drejtoi kërkesën për informacion në lidhje me rastin e Indrit Malokut, 26-vjeçarit, që siç tha nëna e tij nuk ka buzëqeshur kurrë, për shkak të vështirësive të jetës./ZËRI