Aktualitet

Legalizuan pallatin 4 kate mbi lejen, detaje nga pezullimi i kreut të Kadastrës, kompania që përfitoi "Rozafa A"

Të dy zyrtarët mësohet se janë vënë nën hetim pas legalizimit të një pallati që kishte shkelur lejen e ndërtimit, duke shtuar 4 kate

E.K
Legalizuan pallatin 4 kate mbi lejen, detaje nga pezullimi i kreut të
Drejtori i Kadastres Gentian Malotaj

LEZHË- Kanë dalë detaje të reja nga pezullimi nga detyra i drejtorit të Kadastrës së Lezhës, Gentian Malotaj, si dhe përgjegjësit të legalizimit Artur Shabaku. Shkak për pezullimin e tyre është bërë akuza për shpërdorim detyre e ngritur nga Prokuroria e Lezhës. 

Të dy zyrtarët mësohet se janë vënë nën hetim pas legalizimit të një pallati që kishte shkelur lejen e ndërtimit. Në kuadër të këtij hetimi prokuroria Iva Harka ka kërkuar pezullimin e tyre nga detyra, kërkesë që është miratuar nga Gjykata e Lezhës. Sipas prokurorisë dy zyrtarët e Kadastrës kanë legalizuar një pallat në zonën e Kunës në Shëngjin në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i pezullimit është ankimuar në gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa pak ditë me parë u pezulluan dhe 11 punonjës pasi akuzohen për moszbatimin e një vendimi gjykate për mos kthimin në shtet të një sipërfaqe toke të tjetërsuar në zonën e Ranës e së Hedhur në Shëngjin.

Pallati dhe biznesmeni që po e ndërton

Burime bëjnë me dije për ZËRIN që pallati që është legalizuar në shkelje me ligjin është ndërtuar nga kompania Rozafa A, administrator i të cilës është shtetasi Adriano Uldedaj. Kompania që drejtohej prej tij është pajisur me leje për ndërtimin e gjashtë kateve mbi tokë dhe një nën tokë, por një përfundim ka ndërtuar 4 kate shtesë pa leje. Pavarësisht shkeljes së hapur të lejes së ndërtimit, Malotak dhe Shabaku e kanë pajisur këtë pallat me leje.

Leja për ndërtimin e pallatit është dhënë në vitin 2021, ndërkohë që në aktin e ekspertimit që është kryer dy vite më vona, janë pikasur 4 katet e ndërtuara jashtë lejës së ndërtimit.

“Objekt i referuar lejes së ndërtimit është “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-6 kate mbi tokë dhe 1 kat në nëntokë”, kurse sipas inspektimit të gjendjes faktike rezulton që objekti të jetë “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-8-9-10 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë”, thuhet mes të tjerave në ekspertimin e bërë nga prokuroria e Lezhës.

Pjesë nga dosja hetimore:

Rezulton se me Vendimin nr. 39, datë 17.03.2021 Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur:

“1. Miratimin e Lejes së Zhvillimit për objektin: “Objekt me funksion akomodim dhe shërbime,  2 dhe 6 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, Shëngjin”, me vendndodhje në Bashkinë Lezhë,  me subjekt zhvilllues shoqërinë “Rozafa A” shpk.

2. Harta e Planvendosjes së Strukturave bashkëlidhen si pjesë përbërëse të këtij vendimi.

3. Procedurat administrative/ligjore për objektin e përmendur në pikën 1 të këtij Vendimi, do të vijohen nga Bashkia Lezhë, sipas përcaktimeve dhe rregullave të parashikuara në dispozitat e Ligjit Nr. 107, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave  Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, në përputhje me marrëveshjen përkatëse për delegim kompetencash, bashkëlidhur këtij

Vendimi. (...)”.

Me Vendimin Nr. 317, datë 10.08.2021 Bashkia Lezhë ka vendosur: “Miratimin e Lejes së  ndërtimit për ndërtim të ri me sipërfaqe më të madhe se 250m2, për Shoqërinë e Ndërtimit  “Rozafa A” shpk, me Nipt L86414003A dhe Liçencë NZ.7719, për ndërtimin e strukturës me  emërtim sipas projektit “Objekt me funksion akomodim dhe shërbime 2 dhe 6 kate mbi tokë  dhe 1 kat nën tokë, në Rrugën Fran Ivanaj, Ishull-Shëngjin, Njësia Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë, me kushte sipas planvendosjes së dorëzuar, projektit dhe preventivit: (...)”.

Gjatë hetimeve paraprake është kryer dhe një akt ekspertimi teknik topografik i datës 21.07.2023, nga Ing. Manjola Fida, ku është arritur në konkluzionin se:

Objekt i referuar lejes së ndërtimit është “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-6 kate mbi tokë dhe 1 kat në nëntokë”, kurse sipas inspektimit të gjendjes faktike rezulton që objekti të jetë “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-8-9-10 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë”.

Ekspertja ka arritur edhe në konkluzione të tjera, të cilat do të kenë relevanc për themelin.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB