TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për shuarje të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ish-ministri kërkon lirim nga paraburgimi, me pretendimin se ka mbaruar afati i qëndrimit prej 3 vitesh për inceneratorin i Fierit.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025.
Lefter Koka është është arrestuar më 14 dhjetor të vitit 2021 pas hetimeve nga SPAK për dosjen e inceneratorëve. Për ish-ministrin rëndojë tre akuza, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me tre vite burg për dosjen e Inceneratorit të Tiranës, por ka përfituar ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për rrjedhojë dënimi iu ul me 1 vit dhe për 2 vitet e mbetura, izolimi rreth çështjes quhet i vuajtur. Por, Kokës nuk i lejohet që të mbajë funksione publike për pesë vite. Megjithatë, pavarësisht shuarjes së masës për dosjen e inceneratorit të Tiranës, Koka do të vijojë që të qëndrojë në burg pasi është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit e Elbasanit./ZËRI