TIRANË- Joni Keta, aktualisht zv. Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit, është propozuar për në krye të BKH-së nga komisioni tre anëtarësh i SPAK. Emri i Joni Ketës është zgjedhur mes edhe 6 kandidatëve të tjerë që kishin mbetur në garë, Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano. Ndërkohë, për t’u konfirmuar në krye të Byrosë Kombëtaret të Hetimit pritet votimi me shumicë votash në KLP, që pritet të mblidhet më 2 dhjetor për të zyrtarizuar emrin.
“Komisioni i Përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në mbledhjen e tij të datës, 26.11.2025, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z.Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Komisioni i Posaçëm është mbledhur sot në orën 14:30 për të zgjedhur emrin që do të jetë në krye të BKH-së për 5 vitet e ardhshme. Në total u shqyrtuan aplikimet dhe dokumentacioni i 13 kandidatëve, ndërsa vetëm 7 prej tyre kaluan në fazat në vijim. Në garë për Drejtorin e BKH-së janë 7 kandidatët: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Kush është Joni Keta
Joni Keta është aktualisht zv. Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda ndërsa pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta u përfshi në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai është djali i prokurorit Hysen Keta dhe i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, Nga ana e babait, Joni Keta është dhe nipi i Myslym Ketës, i cili për kontributin e tij të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”./ZËRI