Aktualitet

Shkaku- Vdes foshnja që u braktis dje në Yzberisht, arrestohet nëna

Në luftë me vdekjen që pasditën e djeshme, i porsalinduri nuk ka mundur që të qëndrojë në jetë pavarësisht se që dje u fut në intubim nga mjekët. 

k.m.
Shkaku- Vdes foshnja që u braktis dje në Yzberisht, arrestohet
Foto ilustruese

TIRANË- Foshnja që u lind dhe u braktis dje në një bodrum, nuk ia doli dot që të mbijetonte. Në luftë me vdekjen që pasditën e djeshme, i porsalinduri nuk ka mundur që të qëndrojë në jetë pavarësisht se që dje mori ndihmë nga bluzat e bardha dhe u fut në intubim. Mbrëmjen e djeshme, mjekët në spitalin "Koço Gliozheni" bëjnë me dije për Zëri.ai se foshnja është intubuar për shkak se kur ka mbërritur në spital, ka qenë pa shenja jete. Madje shtuan se i kishin bërë edhe arrest-kardiak për ta sjellë në jetë. Sot kanë dalë sërish në një deklaratë zyrtare, duke listuar diagnozat klinike që kishin konstatuar tek foshnja, përfshirë edhe hipoterminë nga i ftohti në garazhdin ku e kishte braktisur e ëma. Në njoftim, mjekët zbuluan se foshnja humbi jetën sot paradite, rreth orës 10, pas gati 24 orësh që po trajtohej në spital.

Njoftimi i plotë:

Ashtu siç jeni njoftuar gjatë gjithë ditës së djeshme, pranë SUOGJ “Koço Gliozheni”, është sjellë në gjendje të rëndë traumatike, një foshnjë e lindur dhe e braktisur në ambjentet e një garazhi! Me të mbërritur në spital foshnjës i është dhënë ndihma e parë në reanimacionin neonatal dhe pas shumë përpjekjesh është arritur të kthehet në jetë edhe pse në gjendje të rëndë! Për 24 orë është luftuar fort nga ana e stafit mjekësor për ta fituar betejën për jetën e kësaj foshnjeje. Pavarësisht punës, përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për fat të keq kjo gjë nuk u arrit! Me hidhërim të thellë njoftojmë humbjen e jetës së foshnjës! Foshnja ndërroi jetë në orën. 10:45, datë 09.11.2023. Diagnozat klinike: Lindje në term/ Lindje per vias vaginalis/ Hipotermi e thellë/Politraumë/ Hemorragji pulmonare/Insufiçience multiorganore/Arrest kardiorespirator Falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Policinë e Shtetit si dhe të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur fuqimisht në betejën tonë për jetën, që fatkeqësisht këtë herë e humbëm!

Fëmija i porsalindur i seksit mashkull, u gjet në një garazh makinash në Yzberisht nga banorët e pallatit mesditën e të mërkurës, të cilët më pas njoftuan edhe Policinë. Pas disa orësh u arrestua edhe nëna, një 29-vjeçare nga qyteti i Pogradecit, e identifikuar si Eglantina Isufaj. Para hetuesve, ajo është shprehur se arsyeja që e ka fshehur shtatzëninë e saj dhe ka braktisur beben pasi nuk ka dashur t'ja merrte vesh familja, pasi nuk ishte e martuat. Ndërsa për të atin e bebes, nuk dha asnjë detaj.

Fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak. Por kishte edhe dëmtime të tjera që nuk dihet se nga i kishte marrë. Tani mbetet për t'u parë nëse ndaj nënës, Policia do të ngrejë akuzën e vrasjes së foshnjes, pasi aktualisht akuzohet vetëm për "braktisje të fëmijës".

"Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Braktisja e fëmijëve të mitur". Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme,"-bëri me dije Policia.

Aktualisht, pasi ka marrë kujdesin e mjekëve që prej pasdites së djeshme, sot është vendosur në pranga dhe është dërguar në ambientet e paraburgimit, për t'u përballur më pas me drejtësinë. Me këtë akuzë, ajo rrezikon deri në 10 vite burg.

Gjendja e saj fizike shfaqet e qëndrueshme ndërsa gjendja emocionale jo, ndaj edhe mjekët dyshojnë se ajo ka kaluar "depresion postpartum". E reja nga Pogradeci nuk ishte e martuar dhe jetonte me prindërit, por ende nuk dihet sa dijeni kanë pasur ata lidhur me aktin që kreu e bija, duke larguar foshnjen vetëm disa blloqe pallatesh më tutje nga banesa e saj./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB