
TIRANË- Ermir Tufa, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, është vendosur në pranga të Policisë së Shtetit. Pas 2 viteve në kërkim, i riu është arrestuar sot nga Forcat e Policisë Operacionale, teksa fshihej në zonën e Fushë-Krujës. Siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit, i riu është kapur pranë një makine dhe është shtrirë në tokë derisa i janë vendosur prangat nga uniformat blu.

Më pas, është sjellë në Tiranë, ku edhe do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Për vrasjen e biznesmenit në Fier, Albert Zaja është dënuar me 21 vite burg, edhe pse për të, prokurori i çështjes Dorian Tafili kishte kërkuar 25 vite heqje lirie. Po ashtu, për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, Zaja përfiton edhe uljen e 1/3 së dënimit. Gjatë gjithë hetimit Zaja nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka mohuar gjithë kohës se ka marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit.
Përveç Tufës që u arrestua sot, për ngjarjen në kërkim janë edhe Elson Xheçuka dhe Silvia alias Roland Cara. Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria ka dalë në përfundimin se është Elson Xheçuka personi që ka qëlluar me armë Shkëlzen Kastratin, ndërsa vetë Tufa është në kërkim edhe për një grabitje të ndodhur më 25 shtator 2018, në Vlorë, ngjarje për të cilën është dënuar me 16 vite burgim për akuzën e “Grabitjes me armë”.
Si ndodhi krimi?
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit 2021 pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës. Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën./Zëri.ai