Aktualitet

U arrestua të shtunën, Jorgo Goro shtrohet në spitalin e burgut

Goro, i arrestuar të shtunën dhe i dorëhequr sot, ka shfaqur probleme shëndetësore

E.K
U arrestua të shtunën, Jorgo Goro shtrohet në spitalin e burgut
Jorgo Goro

TIRANË- Kryebashkiaku i dorëhequr i Himarës, Jorgo Goro, ka përfunduar në spitalin e burgut, për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur në ambientet e paraburgimit.

Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se Goro ka shfaqur probleme shëndetësorë, ndërsa prej 5 ditësh ndodhet i arrestuar nën akuzën për shpërdorim detyre.

Gjatë ditës së sotme u bë publike dhe dorëheqja e Goros nga drejtimi i Bashkisë, përmes një letre që i ka drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës.

Mbi Goron rëndon vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall. Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB