
TURQI- Autoritetet në Turqi i kanë dhënë dritën jeshile ekstradimit të Dritan Rexhepit. Ky fakt u pohua në Gjykatën e Posaçme nga avokatja e Rexhepit, në seancën në ngarkim të 43-vjeçarit, i cili akuzohet si porositësi dhe vrasësi i Jan Prengës. Sipas avokates, drejtësia turke i ka dhënë dakordësinë kërkesës për esktradimin e tij, ndërsa pritet tashmë miratimi i ministrit të Drejtësisë së Turqisë.
Rexhepi u arrestua në 10 Nëntor, nga policia turke në Stamboll.
Ministria e Drejtësisë i dërgoi më 22 nëntor 2023 Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepi, i cili u arrestua në Stamboll.
“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi!
Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, thuhej në njoftim.
43 vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./ZËRI