TIRANË-Sot u zhvillua seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i cili po gjykohet veçmas për 14 vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë. Në GJKKO, SPAK paraqiti shtatë dëshmitarë për të dhënë deklarime mbi episodet e përfshira në dosjen hetimore. Mes tyre ishte edhe Kujtim Mermali, babai i Elton Mermalit, i cili u vra në tetor të vitit 2021.
Mermali dyshohet se u vra nga Artan Tafani me porosi të Laert Haxhiut, pasi ky i fundit dyshonte se 'Kinezi' kishte gisht në vrasjen e djalit të xhaxhait të tij. Në dëshminë e tij, Kujtim Mermali tregoi se djali i tij kishte dalë nga banesa një natë para vrasjes dhe nuk ishte kthyer më. Ai tha se familja u njoftua nga policia pasi trupi i Elton Mermalit ishte gjetur. Babai i viktimës shprehet se nuk ka një person të caktuar të cilin e akuzon për vrasjen e djalit, duke u shprehur se nuk di gjë. Ai rrëfen se e njeh shumë mirë Laert Haxhiun, pasi hante bukë në shtëpinë e tyre. Në lidhje me Artan Tafanin, Kujtim Mermali shprehet se do i gjente punë djalit të tij kur të takoheshin.
Kujtim Mermali: Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, me pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte lajmëruar vajzën e madhe që jeton në Itali, ajo më mori mua në telefon. Ika nga puna, shkova në morg , mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di. Eltoni ishte fëmija im i dytë, nuk punonte. Pasi bëri burgun, nuk ishte në terezi dhe nuk punonte. Se për çfarë u fut në burg, nuk e di. Djali është arrestuar në 2004 në Itali, fillimisht.
Ndenji 2 muaj në burg, mbas gjyqit e kanë nxjerrë ne arrest shtëpie për dy vite. Gabimi i tij që theu arrestin e shtëpisë dhe pastaj e sollën këtu. E arrestuan atje sepse akuzohej për vrasje këtu ne Shqipëri. Për vrasjen e Artan Sulçes. Në 1997 djali ka qenë në Shqipëri. Në dijeninë time djali nuk ka qenë i përfshirë, sepse do merrej haku që në atë kohë, siç u mor për të gjithë. Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares. Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati.
Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në 1997. Djali im nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit në 6 maj 2021, në 17 tetor 2021 u vra. Kur doli nga burgu djali nuk ishte mirë, nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut. Në shtëpi nuk pinte ndonjëherë lëndë narkotike. Sjella e djalit në raport me mua ishte shumë e mirë, nuk ishte agresiv. Nuk më përmendi asnjëherë nëse kërcënohej nga dikush në burg, apo se me kë e ndau qelinë. Djali njihej me pseudonimin “Kinezi” sepse ka patur sytë e vegjël, kështu i thërrisnin që i vogël. Kur doli nga burgu, shkoi në gjendje civile ndërroi emrin , e bëri Alban Semaku. Artan Tafanin do t’i gjente punë djalit kur ta takonte. Kështu më ka thënë djali.