
TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, u shpreh sot në një konferencë me gazetarët se është e paimagjinueshme që të mos respektohen vendimet e këtij institucioni, që kanë vlerën e ligjit. Duke iu referuar zvarritjes që i ka bërë Kuvendi, vendimmarrjes për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, Zaçaj u shpreh:
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe janë përfundimtare. Do të thotë që ato janë të zbatueshme.
Nuk ka ekuivok në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që janë përcaktuar si të tilla, kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen, vetë Kushtetuta nuk i ka dhënë gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme. Nuk do të komentoj më tej”.
Kur kanë kaluar 13 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, zvarritjet e Kuvendi vijojnë.
Në janar 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si anktikushtetuese vendimet e Kuvendit për të mos dëguar për interpretim papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.
Sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është i detyruar që të dërgojë për interpretim mandatin e një deputeti.
Pavarësisht vendimit, Kuvendi e zvarriti çështjen në Këshillin e Legjislacionit deri në korrik, ku deputetët socialistë kërkuan rikthimin e saj në pikën zero në shqyrtim në Këshillin e Mandateve në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare që kërkonte një vendim të thjeshtë në seancë plenare.
Prej asaj kohe, çështja “Xhaçka” mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit. Nikolla ka nxjerrë pretendime të ndryshme për mosveprimin duke paralajmëruar mbajtjen në sirtar pa afat, ndërsa kryeministri Edi Rama e quajti “të paqartë” vendimin e GJK-së.
Zaçaj foli dhe për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, për të cilën Kushtetuesja dha dritën jeshile.
“Vendimi është duke u punuar. Do i përmbahem deklaratës për shtyp. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare.
Ajo që ne thamë në kuptimin e juridiksionit të dyfishtë apo ekstraterritorial që lind, ne këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh, marrëveshja futet në hiearkinë e normave. Është e vendosur në një rang hierarkik nga vetë Kushtetuta. Konventa europiane e të drejtave të njeriut është në nivel kushtetues. Në këtë kuadër juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese./ZËRI