
TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një deklaratë për mediat, ka bërë sot bilancin e institucionit që ajo drejton, ku tha se kjo gjykatë nuk ka dosje të prapambetura. Zaçaj tha se buxheti që ka në dispozicion Gjykata Kushtetuese është i pamjaftueshëm.
“452 kërkesa përgjatë 2023 në Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk ka stok të çështjeve të prapambetura si gjykatat e tjera. 6 vendime janë kërkesa të paraqitura nga një grup deputetesh, 3 nga organizatat, 2 nga gjykatat dhe 59 nga individë. Ndërkohë, 30 vendime janë marrë unanimisht, ndërsa 40 me shumicë votash. Edhe pse me buxhet te pamjaftueshëm, Gjykata mori disa nisma për disa drejtime. Miratoi rregullore për funksionimin e gjykatës. Miratoi rregulloren për komunikimin e gjykatës me mediat”, tha Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha më tej se është e paimagjinueshme që të vihen në diskutim vendimet e kësaj shkalle të drejtësisë, siç mund të ketë ndodhur në disa raste. Sa i takon çështjes së betimit të Fredi Belerit, kryetarja e Kushtetueses tha se kjo çështje është ende në shqyrtim.
“Në lidhje me çështjen Beleri, është duke u përgatitur, janë duke u marrë të gjitha materialet, në momenti që relatori do të jetë gati, atëherë kjo çështje do të vijë për vendimmmarrje”, u shpreh Zaçaj.
/ZËRI