
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur, në Lezhë do të ngrihet një kamp për emigrantët që nisen drejt Italisë, e kapen në Mesdhe. Vendimi është marrë gjatë seancës së sotme, por duket se trupa gjykuese ishte e ndarë në vendimin e marrë. 5 prej tyre kanë votuar pro sjelljes së emigrantëve në Shqipëri, ndërsa 4 kundër ndërtimit të kampit nga Italia. Por maxhoranca ka fituar dhe vendimi tashmë është marrë, duke i hapur qeverisë 'dritën jeshile' që të procedojë më tej me vendin fqinj. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese, theksoi se protokolli i firmosur nga dy kryeministrat, Edi Rama dhe Giorgia Meloni as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, dhe se marrëveshja mes tyre nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut.
Ndërsa lidhur me 'provën' që dorëzoi qeveria, Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, trupa gjykuese vendosi që ishte një bazë e mjaftueshme. Madje dolën edhe në përfundimin që mjaftonte vetëm kryeministri Rama si negociator dhe nënshkrues.
"Duke patur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit,"-shkruhet ndër të tjera në vendim.
Çështja u dërgua në Kushtetuese nga 30 deputetë të opozitës, të cilët e konsideruan marrëveshjen si shkelje të Kushtetutës, por edhe të ligjit ndërkombëtar. Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.
ZBARDHET VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE: NUK CËNOHET INTEGRITETI TERRITORIAL I SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar vendimin për aprovimin e marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë të nënshkruar nga dy Kryeministrat Rama-Meloni. Kushtetuesja rrëzon kështu kërkesën e deputetëve të PD. Në argumentin e GJK, thuhet se marrëveshja nuk cënon integritetin territorial të Shqipërisë. Së dyti, Kushtetuesja nënvizon se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane.
Njoftimi për mediat i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18.01.2024, 24.01.2024 dhe 29.01.2024, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.
Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot më 29.01.2024, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, vlerësoi se:
Lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë, Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend sipas nenit 121, pika 2, të Kushtetutës.
Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin” në dy aspekte:
(i) aspekti fizik; dhe
(ii) aspekti juridiksional të lidhur me sovranitetin.
Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.
Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën b) të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.
Duke patur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52 dhe 52/a, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Sipas dokumentit, Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./ZËRI