Aktualitet

'Kushtetuesja' pezulloi ligjin për kompensimin e pronave, ATP: 'Digjen' 2.3 mld lekë!

Sipas ATP-së, fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë.

E.K
'Kushtetuesja' pezulloi ligjin për kompensimin e pronave, ATP:
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Agjencia e Trajtimit të Pronave ka reaguar këtë të hënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marrë më datë 9 nëntor sa i përket ligjit të kompensimit të pronave. Në reagimin e saj publik ATP, shprehet se ky vendim vë në pikëpyetje një prej proceseve më të rëndësishme të shtetit shqiptar që prej vitit 1993.

Sipas ATP-së, fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë.

Reagimi i ATP-së:

Ky ligj, miratuar për trajtimin e pronës dhe procesin e kompensimit të pronave, ka shërbyer si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të shpronësuar nga shteti komunist. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i trajtimit të 7000 dosjeve të patrajtuara është pezulluar, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit. Kjo ndikon jo vetëm pronarët, por gjithashtu shoqërinë shqiptare në tërësi. Fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë. Në respekt të plotë ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke u nisur vetëm nga ndjeshmëria e opinionit publik, vlerësojmë se shqyrtimi me përparësi i kësaj çështje nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i një rëndësie jetike për përfundimin e procesit të kompensimit.

Por çfarë kundërshton Komuniteti Mysliman në Shqipëri?

Përllogaritja e vlerës së pronës me çmimin në kohën kur është bërë shpronësimi ka nisur përplasjen midis KMSH dhe qeverisë. Agjencia e Trajtimit të Pronës ka  njohur vetëm të drejtën për kompensim.

“Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral actual. Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit,”- thuhet në vendimin e qeverisë që kundërshtohet nga KMSH.

Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave parashikohet që Agjencia e Trajtimit të Pronave për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të vendosura./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB