
TIRANË – Qytetarët që përdorin rrjetin social ‘Facebook’ duhet të kenë kujdes nga skemat e mashtrimit, që janë duke qarkulluar së fundmi në vendin tonë, të cilat reklamojnë “super oferta”, që në fakt janë gënjeshtra.
Një faqe në “Facebook” me emrin “Tirana International Airport”, që nuk ka lidhje me faqen zyrtare të aeroportit, reklamon valixhe, që i konsideron të humbura. Hakerat që kanë sponsorizuar edhe postimin, shprehen se valixhet nuk bëjnë më shumë se 1 euro.
Për të qenë të besueshëm tek njerëzit, në këtë faqe kanë komentuar profile të rreme me emra të huaj, që shprehen se produktet që ata kanë marrë, ku përfshihen çanta, valixhe, parfume etj kanë qenë shumë të mira.

Faqja e gënjeshtërt e hakerave iu kërkon qytetarëve që të aplikojnë me një klikim të vetëm, por realisht ata janë duke iu ftuar në një skemë mashtrimi. Nëse klikoni, mund të jetë një virus për t’iu vjedhur të dhënat personale.
E njëjta skemë e mashtrimit u përdor edhe në shtator, ku mashtrues online, duke përdorur faqen e Postës Shqiptare iu bënin thirrje qytetarëve që të paguanin jo më tepër se 236 lekë, për të përfituar një nga pakot, që kishte mbetur në magazinë.
Skema mashtruese në atë kohë detyroi Postën Shqiptare, që të njoftojë qytetarët të kenë kujdes, pasi klientët mund të bien pre e hakerave./Zëri.ai/