
TIRANË- Kompania lider në tregun e importit të bananeve nga Amerika Latine ka rrëmbyer ndër vite dhe ‘trofeun’ e të qenit mbret në transportin e kokainës. Me ardhjen e pandemisë, u rrit dhe konsumimi i kokainës, gjë që e tregonte dhe një analizë e ujërave të zeza që u bë në atë kohë. Konsumimi kërkon më shumë prodhim dhe kur ka prodhim duhen linja transporti. E ajo që ndjek BanaKing me kontejnerët e saj, Ekuador-Panama-Itali-Shqipëri, është përfektja për ta transportuar kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Evropës.
Ishte prag fundviti, në dhjetor të vitit 2021, kur 119 kilogramë kokainë u zbuluan nga policia në një magazinë në Vaqarr të Tiranës fshehur mes arkave me banane që kishin ardhur me kontejner nga Ekuadori. Operacioni i koduar “Romanati” çoi pas hekurave tre persona, 2 shoferët e automjeteve të firmës, Gëzim Kalaja 31 vjeç dhe Hasan Salihu 63 vjeç dhe administatori i firmës së bananeve të import-eksportit me vendet e Amerikës Latine, Marson Murataj, 34 vjeç, nipi i pronarit të kompanisë, Trifon Murataj.
Kontejneri me banane ishte nisur nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës. Ngarkesa në fjalë ishte kontrolluar nga autoritetet ligjzbatuese italiane, të cilat kishin konstatuar mungesën e plumçes (vulës) dhe për këtë arsye kishin ushtruar kontroll të detajuar, e më pas kishin dalë në përfundimin se kishte mungesë të disa arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenierin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.
Çudia konsistonte në faktin se skaneri në Portin e Durrësit e kishte nxjerrë të pastër kontejnerin gjë që ngrinte dyshime për përfshirjen e organeve ligjzbatuese dhe të vetë kompanisë në trafikun e lëndëve narkotike.
Lajmi se në këtë kontejner nuk kishte veç banane kishte rënë dhe në ‘veshë’ të tjerë, të cilët ishin aktivizuar më shpejt se Policia.
Siç dhe u raportua në atë kohë, rrugës për në magazinat në periferi të Tiranës, në Romanat, kamioni është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Por, duarbosh!
Policia u njoftua nga punonjësit e firmës, por kontrolli në magazinë zbuloi atë që kërkonin njerëzit që i bënë pritë kamionit, 119 kilogramë kokainë!
Çështja u mbyll me dorëzimin e punëtorëve para drejtësisë, por jo trafiku…
Çudirat përsëriten! Në korrik të vitit 2022 u raportua se nga porosia me 1200 arka me banane që kompania Zico sh.p.k kishte bërë në Amerikën Latine, mungonin 49. Dyshimet ishin se arkat ishin hapur gjatë qëndrimit në Portin e Durrësit në turnin e natës, kohë kur kishte qenë roje vetëm një person.
Kontejneri që u nis nga Ekuadori konsiderohej me risk të lartë, por autoritetet portuale thyen portokollin dhe nuk morën asnjë masë parandaluese dhe kontrolluese duke e lënë ngarkesën tek sheshi i zakonshëm i kontejnerëve dhe jo në mbikqyrje të lartë. Kjo gjë solli dhe ‘rrëmbimin’ e 49 arkave, për të cilat kishte dyshimet se ishin të mbushura me kokainë.
Në pranga u vunë: Gentian Halili, Rajd Bleta, Gjergji Doraci, Shefqet Elezi, Profit Tila, Skënder Plaku, Altin Muhametaj, Mazmi Allgjata, ndërsa në masën e sigurisë detyrim Paraqitje u lanë: Armand murataj, Adi Qevanaj, Shpëtim Hajdini, Adem Basha, Veis Kuçi, Jurgen Gjeçi, Azgan Zeka, Kastriot Duçka, Mentor Dyrmishi, Klaudio Lala, Ali Bajrami, Andrea Xhavara.
Kjo ishte hera e dytë që kompania “BanaKing” përfshihej në trafikun e kokainës, por biznesmenit që e zotëron atë, Trifon Murataj, nuk i kishte ‘hyrë gjemb në këmbë’.
Më 3 nëntor të vitit 2022, një sasi prej 33.5 kilogramë kokainë u gjet në kontejnerët me banane të firmës ‘BanaKing’. Droga ishte e ndarë në 31 pako, të vendosura në 2 arka bananesh.
Njësoj si herën e parë, kamioni ku ishte vendosur droga rezultoi i pastër në skaner, por ‘zërat’ që kishin pëshpëritur tek anti-droga, detyruan hetuesit të nisin një kontroll fizik me qen të arkave me banane, ku dhe u zbulua sasia e kokainës. Për këtë rast u shoqëruan 8 persona, punonjës të BanaKing, por edhe të skanerit në Portin e Durrësit.
Lidhur me sasinë e kokainës që u kap u arrestuan tre persona, Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj, të caktohet masa “Arrest me burg”. Ndërsa në kërkim u shpall Trifon Murataj, pronari i kompanisë “BanaKing”.
Anija ishte nisur më 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më vonë është ndalur në Panama, në portin ‘Cristobal’, ndërsa më pas ka udhëtuar drejt portit ‘Gioia Tauro’ në Itali ku ka qëndruar deri më 21 tetor. Në këtë datë, është nisur drejt Shqipërisë, ku ka mbërritur në Portin e Durrësit më 28 tetor. Deri më 3 nëntor ka qëndruar e ankoruar në Portin e Durrësit, ditën që zbarkuan agjentët të antidrogës dhe zbuluan ngarkesën me drogë.
“BanaKing” dhe Trifon Murataj heshtën sërish!
Kompania “S2 Albania” që merret me skanimin e ngarkesa në Portin e Durrësit hoqi ‘përgjegjësinë’ nga vetja, kur në një deklaratë sqaroi se imazhet e skanerit nuk ka mundësi që të manipulohen.
“Jemi në dijeni të një incidenti të fundit në të cilin një kontenier mallrash u skanua dhe rezultoi pa probleme në pikën e kontrollit të S2 Albania në Durrës. Pak pas daljes nga pika e kontrollit të S2 Albania, kontenieri u gjet me lëndë narkotike të paligjshme. Është ngritur një pyetje nëse imazhet e skanuara mund të manipulohen. Imazhet e skanuara shfaqen brenda server (viewer) në pronësi të S2 Albania, i cili nuk ka aftësinë për ta edituar vetë imazhin. Imazhi i skanuar është imazhi i ruajtur, Ne kemi kryer një hetim paraprak të rrethanave,”- thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Në këtë mënyrë, kompania implikonte punonjës të Portit të Durrësit, pasi nënkuptonte se droga nuk ka qenë në kontejner gjatë momentit të skanimit, por mund të jetë futur më pas. Ky operacion u shoqëtua dhe me një reagim të vetë Ministrit të Brendshëm në atë kohë, Bledi Çuçi, i cili përgëzonte uniformat blu për kapjen e bërë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për goditjen e suksesshme në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan 33.5 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Prova e radhës e punës së shkëlqyer hetimore dhe operacionale, e luftës pa kompromis përballë krimit të organizuar dhe dëshmi e pakontestueshme e vendosmërisë tonë për të rritur gjithnjë e më shumë forcën goditëse të Policisë së Shtetit ndaj grupeve kriminale. Operacioni vijon,”- shkruante Çuçi në atë kohë, por ‘koka’ ende shijonte lirinë.
Ndërkohë që në media ‘gëlonin’ lajmet se bosi i 'BanaKing', Trifon Murataj lëvizte me kapele nëpër Tiranë dhe fshihej në kulla biznesmenësh, erdhi dhe reagimi i parë prej tij.
Kompania pretendonte se grupet kriminale po përdorin linjën dhe kontejnerët e tyre për transportin e kokainës, pa dijeninë e tyre dhe se kjo po u shkatërronte biznesin.
“Nuk kemi asnjë përgjegjësi pasi neve si kompani porosinë e bëjmë në rrugë elektronike dhe s’jemi fizikisht në Ekuador. Nga ta dimë neve se çfarë kanë arkat brenda?! Mund ta linit ngarkesën të mbërrinte në magazinat tona dhe nëse neve zbulonim se kishte kokainë dhe se raportonim atëherë kjo përbënte shkelje ligjore. Ne presim banane, se çfarë ka kontejneri brenda nuk kemi se si ta dimë. Grupet kriminale e përdorin linjën pa dijeninë tonë. Ky është një problem për ne sepse na shkatërron biznesin. Ne jemi të pafajshëm pasi s’kemi asnjë dijeni për lëndën narkotike,”- thuhej në deklaratën zyrtare të kompanisë pritëse të bananeve me seli në Tiranë.
Drejtësia e kërkonte, ndërsa Presidenti i kompanisë “Bana King”, Trifon Murataj i ‘surprizoi’ duke dalë në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus. Biznesmeni me nënshtetësi amerikane mohonte çdo përfshirje dhe madje shprehej se nëse do t’i ishte kërkuar deponimi nga autoritetet shqiptare, do ta kishte dhënë. Sipas tij, janë dy grupe që targetojnë kompaninë e tij për të trafikuar kokainën. Grupi i parë sipas Muratajt janë grupet kriminel, ndërsa të dytët preferoi t’i identifikonte vetëm me termin “Ata”, duke mos preferuar të thotë më shumë.
“Dy janë grupet që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, për mua. Grupi i parë i është grupi i narkotrafikut, i organizatave kriminale që merren me narkotrafikun. Grupi i parë i cili kërkon nëpërmjet kontaminimit të kompanisë sonë të arrijë qëllimin,”- thoshte Murataj.
Zërave se i është shmangur drejtësisë iu përgjigj duke u lënë Zotin: Fali o Zot sepse nuk dinë çfarë thonë e çfarë bëjnë. I kam lënë. Vetëm një gjë u them. Zoti nuk ka lënë kurrë punë të pambaruara!
Roli i DEA-s
Më 31 dhjetor të vitit 2021, DEA amerikane kishte informuar Policinë e Shtetit Shqiptar se Trifon Murataj bashkëpunonte me një emër mjaft të njohur për Policinë e Shtetit, Arben Isufajn (Ben Qimja), në trafikun e kokainës nga Ekuatori. Sipas informacionit që doli zbuluar pas hakimit të e-maileve nga grupi i hakerave “Homeland Justice”, Trifon Murataj sjell kokainën të kamufluar me banane nga Amerika Latine, ndërsa Isufaj e ruan, e përpunon dhe më pas bën shpërndarjen.
“Kemi gjetur këtë informacion në lidhje me ZICO SHA. Më datë 9 Nëntor 2014, Policia Kombëtarë e Ekuadorit ka sekuestruar rreth 33.55 kg kokaine. Kokaina ishte e fshehur brenda njësisë frigoriferike të kontejnerit transportues GESU9439832. Kontejneri transportues kishte një dërgesë me banane dhe kishte destinacion Durresin/Shqipëri. Kompania marrëse ishte ZICO SHA. Në vitin 2018, një burim ka siguruar informacionin si vijon. Shtetasit shqiptarë Qime ARBEN dhe Murataj TRIFON janë të përfshirë në kontrabandimin e kokainës në Shqipëri. Burimi ka deklaruar se TRIFON përdor një kompani importimi ne Durrës/Shqipëri me emrin ZICA SHA për të importuar me shumicë kokaine nga Ekuadori në Shqipëri. Kokaina e importuar më pas ruhet në një magazinë e kontrolluar nga ARBEN. ARBEN më pas bën përzierjen për të krijuar sasi më të mëdha”, thuhej në shkresën e DEA-s.
Por, pavarësisht këtij informacioni, vazhdimësia e transportit të kokainës, tregonte se bashkëpunimi me BanaKing vijonte ‘qetësisht’.
Historia u përsërit këtë 8 dhjetor.
Por çfarë ndodhi konkretisht?
Më 8 Dhjetor, një person që është shpallur në kërkim nga policia me inicialet D.H, 56 vjeç, është paraqitur tek punonjësit e kompanisë “Mariner Adriatic” si shofer i shoqërisë “BanaKing” dhe ka tërhequr kontenierin me banane. Pas rreth 2-3 orësh, është rikthyer sërish në Port dhe ka rikthyer kontejnerin. Të nesërmen, në datën 9 Dhjetor, në portin e Durrësit është paraqitur shoferi i vërtetë i Bana King, i cili ka kërkuar të tërheqë kontenierin. Ky shofer është kontaktuar nga punonjësit e Doganës, të cilët e kanë vënë në dijeni se kontenieri kishte probleme, pasi vula e mbylljes nuk përkonte me vulën e nisjes.
Në këtë moment është pezulluar i gjithë procesi, dhe pas kontrollit të ngarkesës ka rezultuar që sasia ka qenë e plotë, megjithatë ka dyshime se kutitë mund të jenë ndryshuar. Nga verifikimet rezulton se personi që ka tërhequr për herë të parë kontenierin me babane, nuk ka qenë punonjës “Zico Company” (Bana-King) dhe ai besohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara për tërheqjen e mallit.
Kontejneri në fjalë dyshohet se gjatë kohës që është ‘zhdukur’, është dërguar në zonën e Shkozetit, ku dhe është ndryshuar ngarkesa.
Pas kësaj situate, punonjësit e “Zico Company” kanë bërë kallëzim penal, ndërkohë që nuk dihet nëse Prokuroria e Durrësit po zhvillon një hetim paralel për dyshimin e trafikut të kokainës përmes kontejnerit. Përpara drejtësisë kanë dalë 5 persona, punonjës të Portit të identifikuar si: Alketa Kollçaku, 52 vjeç, Denis Musaj, 41 vjeç, Egnis Gojani, 35 vjeç, dhe Adelino Vila, 27 vjeç.
Personi D.H, është pika kyçe, por në arrati, si çdo përgjegjës i cdo ngarkese të dyshimtë…/ZËRI