
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, diten e sotme (29 gusht) vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u hap spitali ditor brenda kësaj qendre. Ky është i pari spital ditor i këtij lloji në Shqipëri me një sipërfaqe prej 3500 metër katror, që do të ofrojnë shërbimin shëndetësor për 65 mijë pacientë me sëmundje kronike, por edhe të tjerë që do të kenë nevojë për terapi dhe një monitorim të vazhdueshëm nga mjekët. I shoqëruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë Albana Koçiu, Kryeministri nuk kurseu kritika për mjekët, ose të paktën disa mjekë.
“Nëse do të na shpikni ndonjë vaksinë për virusin e mospërfilljes së pacientëve, do të ishte edhe më mirë. Sepse unë që e njoh sistemin e di shumë mirë që pjesa dërrmuese e mjekëve janë super, por mjaftojnë pak individë që janë të pavaksinuar me normat e edukatës dhe etikës në punë për të shkatërruar imazhin e të gjithëve edhe hedhur poshtë punën e përbashkët që po bëjmë”, tha kryeministri.
Por përse këta individë të pavaksinuar vazhdojnë ushtrojnë profesionin e tyre brenda mureve të QSUT kur vetëm pak muaj më parë, dolën me zë dhe me figurë duke bërë "pazare me vdekjen" që rënduan në kurrizin e të sëmurëvë me kancer?
Dëshmitë rrëqethëse që dolën në dritë nga skema e ngritur nga mjekët e spitalit onkologjik, që zhvasnin pacientët duke ofruar shërbime në klinika private nuk morën kurrë reagime nga kolegë të Edmond Gashit apo Alketa Peres.
-
Dosja e skandalit tek Onkologjiku kalon në SPAK
14 Korrik, 12:30 -
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu foli me “tone të larta” në mbledhjen e atëhershme me stafin e onkologjikut por në fund mbeti thjeshtë përgjegjësi personale e dy mjekëve onkologë dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre.
Gjithastu një protestë nga shoqëria civile u mbajt përpara Ministrisë së Shëndetësisë për skandalin e Onkologjikut, ku mjekë e punonjës, përfshirë zëvendës drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare, Brikena Qirjazi, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi në kurriz të pacientëve.
Farmacisti Florian Marku, i përmendur në dosjen e Prokurorisë së Tiranës i cili mori masën "arrest shtëpie", i përfshirë po në këtë çështje pretendoi se nuk ka asnjë lidhje me mjekun Edmond Gashi. Madje shtoi se nuk e njeh as si doktor, edhe pse të dy punonin në të njëjtin pavion.
Edhe shefja e spitalit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Silvana Çeliku bëri një deklaratë shokuese teksa raportonte në Komisonin e Shëndetësisë pas skandalit. Gjatë fjalës së saj teksa po fliste për trajtimin me KEMP të pacientëve me sëmundje tumorale ajo u shpreh se të jesh me kancer nuk do të thotë që nuk je e aftë për punë. Ndërsa pranoi që ka mungesë të medikamenteve. Për të mos e mbyllur me kaq, Çeliku foli edhe për letrën tronditëse të zyshë Ina Kasimatit, duke thënë se mësuesja e ndjerë, mund të jetë ndikuar nga thashethemet, dhe për këtë ka shkuar që të trajtohet në një spital jashtë vendit.
Një përmbledhje e shkurtër por me shumë “individëve të pavaksinuar”, madje një pjesë prej të cilëve vazhdojnë ushtrojnë profesionin e tyre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”./ ZËRI