
TIRANË- Të tjera detaje janë mësuar nga dosja e Prokurorisë së Tiranës, ku zbulohet skema sesi merren para nga pacientët që shkojnë për të marrë kurim për sëmundjet tumorale. Në dosje është zbardhur një përgjim i datës 30 nëntor 2023, ku edhe kërkohet të ndërhyhet për një operacion për një pacient me kancer të gradës së dytë agresiv. Në dosje, Flutura kërkon doktor Helidon Ninin, mjekja onkologe, e cila po ashtu mban postin e shefit të Shërbimit, Silvana Çeliku e orienton tek mjeku Edmond Gashi. Por sigurisht që përdoret skema për ta kaluar tek privati, duke i thënë se në spitalin shtetëror ka shumë radhë.
BISEDAT E PËRGJUARA:
Silvana: Hë moj Flutura si ke qenë?
* Flutura i tregon për një pacient me kancer në gradën e dytë agresiv që ka nevojë urgjente për operim dhe është e lidhur me doktor Elidon Ninin.
Silvana: Me Elidonin nuk të ndihmojë dot nuk kam asnjë lloj kontakti. E vetmja ndihmë që mund të të jap është ta operojë Mondi im tek kirurgjia se i qan, ta bëjmë pa radhë. Tek Onko me këdo doktor tjetër të fusja unë pa rradhë që nesër por me Elidonin nuk flas se është në rang kryeministri e lartë, s’pyet për të tjerë.
Flutura: Po na thanë ka shumë radhë, po dhe kësaj nga zyra do ja kenë sugjeruar.
Silvana: S’ka radhë fare por e gjitha është skemë për ta dërguar në privat se asnjë punë nuk kanë. I bëjnë të gjitha për t'i sorollatur që ti dërgojnë në privat pacientët se e di unë shumë mirë.
Flutura: Pa të nxjerrë ty po e diskutoj njëherë me ta dhe flasim sërish./ZËRI