
TIRANË- Në përgjimet e SPAK që çuan në pranga Erzen Breçanin, Dedan Gjonin, Bujar Gërmizin dhe Besmir Muratin, sipas gazetarit Artan Hoxha, del në skenë dhe një personazh që mban nofkën Toto Rina, dhe ka rol kyç në disa krime që kanë ndodhur kundër jetës së personave.
Sipas gazetarit ky person mund të jetë arrestuar nga SPAK, dhe mund të shërbejë si i penduar për të zbardhur disa prej ngjarjeve. Hoxha tha se pritet një komunikim nga SPAK në ditët në vijim për të kuptuar se kush është identiteti i këtij personi, që dhe në aplikacionet e koduara mbante emrin “Toto Rina”.
Pikërisht ky person dyshohet se bënte lidhjen mes ‘të fortit’ të Kukësit Bujar Gërmizi dhe grupit të ekzekutorëve që paguheshin për ngjarje të caktuara.
“Fillesa e këtij hetimi është nga “Sky Eç”, lidhja e personazheve, por në fakt kemi një hetim që ka nisur nga jashtë territorit të Shqipërisë, Hollandë, Gjermani, Brazil, ku dhe është kapur një ngarkesë. Mënyra si është paraqitur nga SPAK, të lë të kuptosh se ka të bëjnë me një organizatë që ka një sistem piramidë të organizuar, por në fakt nuk është tërësisht ashtu. Kemi pjesën e trafikut të kokainës që shkojnë diku tek 800 kg janë kapur në 3 ngarkesa. Ekskluzivitet i lëvizjeve që ka bërë Ervin Mata. 800 janë kapur në 3 ngarkesa dhe nga këto 800 janë ngarkesa që vijnë nga Brazili dhe nga Kolumbia, në Holandë dhe në Gjermani. Ky është trafik i bërë jashtë territorit të Shqipërisë.
Pjesa e dytë është pjesa e Shqipërisë që ka të bëjë kryesisht me Bujar Gërmizin, i cili është interlekutori, kryesisht për ngjarje – porositje të vrasjeve me pagesë. Nga këto çështje, dalin se kush do të goditej, pra 2 vëllezërit Nela që jetonin në Britani, një biznesmen në Lezhë, pra këta ishin persona për të cilët ishte porositur krimi, por në fakt nuk del se kush do ta bënte këtë gjë. Nëpërmjet kësaj çështje ka dalë një vrasje në Tropojë e Guxim Gjurishit e 5 Janarit 2020 dhe kryesisht, ish-pjesëtari i Forcave Speciale, Bujar Gërmizi ka shërbyer si njeriu që ka bërë lidhjen midis personave që kanë bërë porosinë dhe ekzekutorëve.
Telefoni “Sky”, i cili komunikon me Bujar Gërmizin ka nofkën “Totorino”. Ky është njeriu që ka mbajtur kontaktin. Nuk e ka nxjerrë SPAK deri tani. Unë e di dhe besoj se SPAK e ka arrestuar. Ai e ka nofkën “Totorino” dhe ai është njeriu që komunikon me grupin e ekzekutorëve dhe me Bujar Gërmizin. Kjo është pjesa e Shqipërisë, vrasjet dhe konfliktet të brendshme që janë shtrirë dhe jashtë”, tha gazetari në studion e “Opinion”.
/Zëri.ai