Aktualitet

Kush është Antony Blinken, personi që shpalli ‘Non grata’ Berishën dhe trazoi politikën shqiptare

Pikërisht vendimi për shpalljen non grata të Berishës, ishte dhe pika e kthesës për opozitarizmin në Shqipëri dhe përçarjen pa kthim të Partisë Demokratike

E.K
Kush është Antony Blinken, personi që shpalli ‘Non
Blinken dhe Berisha

TIRANË- Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, do të vizitojë sot Tiranë, duke theksuar dhe njëherë tjetër rëndësinë që SHBA i jep rolit të Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Blinken është një prej njerëzve më të afërt të presidentit amerikan, teksa është emëruar në këtë post në vitin 2020, ndërsa më herët kishte qenë këshilltar i Biden.

Në politikën shqiptare, Blinken do të mbahet mend për vendimin e tij për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, në vitin 2021.  Blinken deklaroi asokohe: “Sot unë po shpall publikisht Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”

Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”

Pikërisht vendimi për shpalljen non grata të Berishës, ishte dhe pika e kthesës për opozitarizmin në Shqipëri dhe përçarjen pa kthim të Partisë Demokratike. Me shpalljen e vendimit, Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar, ndërsa ky i fundit do të niste betejën në dy fronte, në njërën anë do të tentonte që të rrëzonte vendimin, dhe në anën tjetër, të rimerrte Partinë Demokratike, pasi e gjeti veten të përjashtuar nga Lulzim Basha.

Para se të emërohej nga Biden, Blinken ka shërbyer në administratën e Obamës si zv/sekretar i shtetit dhe zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare. Ai shërbeu gjithashtu si këshilltar i sigurimit kombëtar të Zëvendës Presidentit të atëhershëm Biden.

Në atë kohë, ai luajti një rol qendror në pjesën më të madhe të politikës së jashtme të administratës Obama, duke përfshirë mënyrën e përgjigjes ndaj inkursionit të Rusisë në Krime në 2014, bastisjen për të vrarë Osama Bin Laden në 2011 dhe luftën kundër ISIS./ZËRI

Poll

MOS HUMB