
TIRANË- I shumëkërkuari i Policisë Edison Pula, i cili u arrestua disa ditë më parë në Luksemburg ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Lartë ndaj dënimit të tij me 14 vite burg nga Gjykata e Apelit. 30-vjeçari përmes avokatit të tij Detar Hysi ka bërë rekurs ndaj vendimit të Apelit, i cili e dënoi atë me 14 vite burg në mungesë për veprat penale vrasje me paramendim, mbajtje pa leje e armeve, shkaterrim prone, vjedhje, dhe largim nga vendi i qendrimit. Mësohet se më 4 korrik të 2024 Gjykata e Lartë ka vendosur të rikthejë sërish për shqyrtim dosjen e Pulës në Gjykatën e Apelit.
Edison Pula është pjesë e bandës së Niklës që u shkatërrua në kuadër të operacionit “Shënjestra” në vitin 2016. Ai u arrestua bashkë me 7 persona të tjerë të cilët ishin pjesë të “bandës së tritolit” dhe tentuan të vrisnin ish-policin Gentian Bejtja, i cili ishte nën hetim për vrasjen e kryekomisarit Ditan Lamaj.
Ndërsa në momentin kur u arrestua, në vitin 2016, për atentatin e parë ndaj Bejtjas, Pula edhe pse me pranga në duar, sapo zbriti nga furgoni i Policisë, mundi të arratisej nga Komisariati i Fushë-Krujës. Ai kapërceu murin rrethues dhe u arratis. Dy policët që e arrestuan Denis Çela dhe Naim Stafuka, u akuzuan për shpërdorim detyre. Ata thanë se sapo e zbritën nga makina për ta futur në komisariat, i dyshuari përfitoi nga dera e hapur dhe u largua.
Kjo nuk do të ishte arratisja e tij e parë, pasi në vitin 2022 kur u arrestua në Itali, si autori i 50 grabitjeve, bëri të njëjtën gjë. Teksa priste të dilte në gjyq, i riu preu hekurat e qelisë në burgun e Trevizos dhe përdori çarçafë për të zbritur nga kati i tretë, por kësaj radhe jo i vetëm, por me dy shqiptarë të tjerë, të cilët u kapen nga autoritetet italiane brenda ditës, përveç tij.
Tani pritet që 30-vjeçari të ekstradohet në Shqipëri./ZËRI