
TIRANË- Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut liqenin termal nëntokësor, më të madhin në botë, të cilin e kanë quajtur liqeni Neuron. Emrin e mori nga fondacioni që financoi ekspeditën.
Por ku u gjet liqeni?
Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh nëntokën. Në rajonin e Vromonerit, pranë fshatit Kuqesh, komuna Leskovik, ata hasën në një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë hartuar në detaje. Sistemi përmban shumë burime të nxehta që lëshojnë avull. Gjurmimi i burimit të avullit i çoi ata të gjenin një humnerë mbi njëqind metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos.

Në fund të asaj humnerë, ekipi tani ka konfirmuar se ka gjetur liqenin termal nëntokësor më të madh në botë deri më sot. Sipas mediave të huaja, me një gjatësi prej 138 m, një gjerësi prej 42 m dhe një perimetër 345 m, mund të mbajë 8,335 m3 ujë të nxehtë.
“Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë. Falë Fondacionit Neuron, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejon të matim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët të cilët do të matin pjesën nënujore të atij liqeni.”
Procesi me të cilin është bërë shpella që përmban liqenin është gjithashtu e pazakontë. Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik që e kthen vazhdimisht shkëmbin gëlqeror në gips të butë./ZËRI