TIRANË- Protestat e zhvilluara në Tiranë kundër projektit në zonën e Zvernecit kanë tërhequr vëmendje edhe nga disa media ndërkombëtare, për shkak të pjesëmarrjes masive të qytetarëve dhe debatit që ka ndezur lidhja e projektit me emrin e dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Prej tre ditësh, demonstruesit kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar ndalimin e projektit, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.
Përveç raportimit dhe pasqyrimit të protestave dhe asaj çfarë po ndodh aktualisht me Zvërnecin, një element i përbashkët i raportimeve ndërkombëtare është theksimi i lidhjes së projektit me Jared Kushner, që ka rritur interesin e mediave dhe debatet mbi ndikimin e investimeve të huaja në Shqipëri.
Disa nga raportimet kryesore:
The New York Times: “Protestat në rritje në Shqipëri për projektin e lidhur me Kushnerin. Planet për resorte luksoze në Detin Adriatik i kanë shqetësuar prej kohësh ambientalistët. Zhvillimet tani janë një pikë e nxehtë për zhgënjime më të gjera me qeverinë.”

Reuters: “Mijëra shqiptarë marshuan nëpër Tiranë duke protestuar kundër një zhvillimi të diskutueshëm të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të ligatinave të Zvernecit. Demonstruesit u mblodhën në Sheshin Skënderbej përpara se të marshonin drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta ku shkruhej ‘Shqipëria nuk është në shitje’. Protestat synojnë një zhvillim të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilin kritikët thonë se kërcënon një nga ekosistemet e fundit bregdetare të paprekura të Mesdheut.”

France 24: “Mijëra shqiptarë protestuan kundër një kompleksi turistik bregdetar që dyshohet se është i lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së, Jared Kushner.”

Politico: “Autoritetet shqiptare hetojnë projektin e një resorti bregdetar të lidhur me Jared Kushner. Affinity Partners dëshiron ta shndërrojë zonën bregdetare të ligatinave — shtëpinë e flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave të detit — në një vendpushim të madh.”

Çështja e Zvernecit është kthyer në një nga temat kryesore brenda vendit, ndërsa protestat kanë tërhequr vëmendje dhe reagime edhe në mediat ndërkombëtare./ZËRI