
TIRANË- Ilir Beqaj ka pasur një periudhë "mjergullimi" lidhur me rrethin e tij shoqëror. Në një intervistë që ka dhënë gati 10 vite më parë për "BIRN", Beqaj tha se nuk e njihte fare biznesmenin (tashmë të burgosur), Ilir Rrapaj. Në vitin 2015, kur koncensionet në shëndetësi kishin kapur "pikën e vlimit", Beqaj u kontaktua për t'u pyetur lidhur me marrëdhënien që ai kishte me Ilir Rrapaj, të cilit i dha koncesionin 100 milion euro.
"Por kur gazetari Elton Qyno e pyeti nëse e njihte apo kishte pasur ndonjë kontakt me të, ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha se nuk e njihte fare. Në shkrimin për BIRN, gazetari shkruajti se më pas i kishte dërguar disa fotografi Ilir Beqajt, ku ai shfaqej bashkë me Ilir Rrapajn, dhe atëherë ish ministrit i kishte ardhur memorja. I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskua memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj,”-shkruhet në artikullin e BIRN-it, në shkrimin e vitit 2015.


Më pas, në dosjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, hetuesit shkruanin se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zv. ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj kishin udhëtuar së bashku pas firmosjes së koncesionit të sterilizimit. SPAK shkruante se të gjithë bashkë kishin udhëtime jashtë shtetit. Por edhe për këto të fundit, Beqja e kishte një sqarim!
Në rrjetet e tij sociale, sa i takon njohjes me biznesmenin Ilir Rrapaj, Beqja pretendonte se e kishte njohur në kohën kur ishte ministër për shkak të nevojave të punës që ka pasur. Në një farë mënyre, u detyrua që të pranonte dhe fluturimet me të, të cilat tentoi që t'ja linte "rastësisë".
“Dhe së fundmi dicka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staccini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me siparmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam fimosur kontrata me ta. Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte wizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi. Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qënë edhe Admir Daca. Mundet. E ka njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një këkrim “ilir beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qënë dhe me kë kam qënë. Por po e ripostoj,”- shkruan Beqaj.
Nga dosja e SPAK, kuptohet se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit. Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqjas janë disa, si me Admir Dacën që ka firmosur kontratën, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milion euro PPP.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10,”- ka zbuluar SPAK.
Këto udhëtime, i ka konfirmuar gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi edhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj. Sot, ai pranoi se së bashku me eprorin e tij Ilir Beqaj, në vitin 2013 kanë pasur një vizitë pune në Universitetin e Peruxhias në Itali.
“Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend. Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me rajonin e Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim,”-ka thënë sot ish-zv.ministri i Shëndetësisë në komision./ZËRI