
TIRANË- Paralajmërimi që kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi për gazetarët që raportojnë dosjen "Partizani" ka shkaktuar një debat mes gazetarëve. Në një nga konferencat e tij të shpeshtuar ditët e fundit, Berisha tha se do të sulmonte gazetarët që transformonin dosjen e tij për llogari të asaj që e cilësoi si "banda kriminale e SPAK".
Ndër të parët që shkroi për paralajmërimin e Berishës ishte botuesi, Andi Bushati. Në një shkrim të botuar në "Lapsi.al", Bushati tha se Berisha në fakt nuk është në disfavor nga trajtimi që po i bëhet dosjes së tij (ashtu siç pretendon), por megjithatë i dha të drejtë.
"Në këtë kuptim, sado aktive të jetë banda e autoporlantëve të Dumanit, publikut nuk i mohohet tabloja e plotë e ngjarejs me argumentat pro dhe kundër Berishës. Me tepër sesa ky i fundit ata që penalizohen janë njerëzit kërkojnë të dinë, që duan të informohen ndershmërisht dhe të mësojnë të vërtetën. Ata janë viktima reale e kësaj historie. Dhe kjo e ka një shpjegim. Sepse prej kohësh në Shqipëri po praktikohet një gazetari militante, me aktorë partizanë që kanë hequr dorë nga apikikimi i parimit të shenjtë të së paku dy burimeve. Spakistët bërtasin se u ndryshua ligji që prona të mund të blehej me letra me vlerë, berishistët këmbëngulin se nuk kanë përfituar nga ky privilegj pasi tashmë transaksioni ishte kryer. Më ekstremistët akuzojnë se Berisha, si kryeministër, ka ushtruar influencë në këtë proces, avokatët kanë alibinë se në dosje nuk nuk ka asnjë dëshmi që e provon këtë. Mes këtyre barrikadimeve ekstremisht të largëta ajo që mbetet jetime është e vërteta. Pothuajse në gjithë pesazhin mediatik shqiptar, kryesisht si pasojë e militantizmit, mungon çdo lloj fact check që ti hyjë më thellë pretendimeve të akuzuesve dhe alibive të mbrojtësve."
Në mbrëmje, gazetari Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" komentoi sërish të njëjtën deklaratë të Berishës, duke ashpërsuar gjuhën e përdorur ndaj kolegëve. Këta të fundit, i cilëson si "papagallë".
"Më ka bërë përshtypje edhe vetë, që ka gazetarë në emisione, që kur e pyet gazetarin se çfarë mendon, thotë këto i mendon SPAK-u. Ne kemi patur gazetarë apo analistë papagajë të PS dhe PD, kemi patur edhe gazetarë të bandave, të federative sportive, zgjedhin do të bëhen papagall i filanit. Pra ky konstatim i Berishës, është deri diku i vërtetë, por them se Berisha nuk është viktima e kësaj. Viktima e madhe këtu është publiku. SPAK ka krijuar një bandë dezinformatorësh që shpërndajnë lajme. Banda e SPAK është rrezik,"-shtoi Bushati.
Qëndrimin kundër Bushatit e ka shprehur publikisht gazetarja e kronikës Anila Hoxha, e cila ka replikuar me një postim ironik në rrjetet e saj sociale. Në reagimin e saj, ajo duke i kujtuar kohën se si “komplotistët apo papagajtë gazetarë”(përdor fjalët e Bushatit), e mbronin kur SPAK-u e hetonte.
"Banda e gazetarëve të SPAK me një nga krimet që TI nuk e di që ta kemi bërë ne! NE, Banda e gazetarëve te SPAK , kur prokurorët të kërkuan të paraqiteshe NE të morëm peng dhe të pyetëm me dhunë atë ditë e në vijim. Ti ishte thirrur nga SPAK për cështjen e të dhenave personale , dhe ne anulluam menjëherë pushimet dhe jetën luksoze prej banditësh. Kjo bandë e rrezikshme, nga më te rrezikshmet që ka parë Shqipëria raportoi hap pas hapi dinamikën e veprimeve të prokurorisë, gjyqësorit. Në finale edhe Strasburgun në menyrë aq te organizuar saqë konkurron edhe Cosa Nostrën. Më pas banda e la derën e SPAK . U kthye në redaksi dhe u kujdes që për gjëmën e dhunimit të medias të raportonte përtej orarit zyrtar dhe të ishte prezente edhe ne edicionet e tjera!,"-shkruan Hoxha ndër të tjera.
DEBATET E PLOTË ONLINE LIDHUR ME GAZETARËT DHE SPAK
SHKRIMI I PARË:
Sali Berisha nuk e ka humbur sërish rastin për t’u konfirmuar si mbret i gjysëm të vërtetave. Ai ka sulmuar së fundi ata gazetarë që referojnë nëpër ekrane “mashtrimet” e akuzës së SPAK-ut kundër tij. Duke i ndarë reporterët e kronikës në dy kategori, lideri i opozitës ftoi ata që i njihte për të ndershëm, të jepnin edhe versionin e tij për elementët e dosjes 500 faqëshe të privatizimit të klubit Partizani, ndërsa kërcënoi pjesën tjetër që refuzonte ta bënte këtë, se do i trajtonte me të njëjtat metoda që përdor për anëtarët e Prokurorisë së Posaçme. Në fakt, në njërën anë Berisha ka të drejtë. Prej disa kohësh në media është shpërfaqëur kategoria më e re e gazetarëve dhe analistëve, atyre që bëjnë papagallin e SPAK. Ashtu sikurse qeveria, opozita, madje edhe grupet kriminale apo federatat sportive kanë përfaqësuesit e tyre të infiltruar në profesionin tonë edhe SPAK ka aritur të ndërtojë një brigadë të gatshme. Po të shihje disa nga emisionet e mbrëmjes, pas publikimit të aktakuzës ndaj Berishës, haseshe me personazhe qesharakë që e kishin lënë logjikën në shtëpi, pasi hynin në studio dhe pa u rekur të argumentonin, përsërisnin në mënyrë mekanike shprehejn standarte: “Unë po raportoj ato që thotë SPAK”. Por, nga ana tjetër, sado ulëritës të jetë ky fakt, Sali Berisha nuk mund të konsiderohet viktimë e kësaj gjendjeje. Së pari, sepse falë avantazheve të të qenit ish kreyministër, ai ka trashëguar një rrjet mediash që i japin jehonë argumentave dhe qëndrimeve të tij. Së dyti, sepse falë aureolës personale, ai tërheq në çdo rast një mori të paimagjinueshme mikrofonësh që i’a përçojnë të plota mesazhet. Një herë doli nga arresti shtëpiak për të shkuar drejt Prokurorisë së Posaçme dhe të gjitha televizionet i transmetuan “Live” qëndrimet e tij, madje edhe ato që e kapërcenin interesin për çështjen. E bija, Argita, është prezente thuajse çdo ditë në ekrane, madje edhe në vatra të propogandës ramiste, për të çmontuar dosjen e akuzave të ngrituar ndaj bashkëshortit dhe babait të saj.
Pra argumentat e mbrojtjes të Berishës, jo vetëm nuk janë censuruar, por i janë përsëritur shikuesve dhe lexuesve me një denduri që rallë kush ka fatin ta ketë. Në raport me shumë subjekte të tjera të SPAK, që nga Ahmetaj, Beqja, Koka, Dako etj., Berisha rezulton më i privilegjuar. Të parët kanë qenë po aq viktima të infove të dala nga celula e dizinformimit të SPAK, por ama pa pasur mundësinë të kenë media në dispozicion për të mbrojtur versionin e tyre. Në këtë kuptim, sado aktive të jetë banda e autoporlantëve të Dumanit, publikut nuk i mohohet tabloja e plotë e ngjarejs me argumentat pro dhe kundër Berishës. Me tepër sesa ky i fundit ata që penalizohen janë njerëzit kërkojnë të dinë, që duan të informohen ndershmërisht dhe të mësojnë të vërtetën. Ata janë viktima reale e kësaj historie. Dhe kjo e ka një shpjegim. Sepse prej kohësh në Shqipëri po praktikohet një gazetari militante, me aktorë partizanë që kanë hequr dorë nga apikikimi i parimit të shenjtë të së paku dy burimeve. Kjo ka bërë që, për çështjen në fjalë, në një lajm apo në një kronikë televizive, ti të kesh ose vetëm versionin e celulës së borizanëve të SPAK, ose atë të idhtarëve të Berishës. Njëra palë akuzon se privatizimi i klubit Partizani filloi pasi Berisha erdhi në pushtet, pala tjetër pretendon se ai kishte nisur që gjatë qeverisë Nano. Të parët e vënë theksin te firma e ish kryeministrit për tjetërsimin e terreneve sportive në truall ndërtimi, të dytën nxjerrin dokumentin se kjo u bë me firmën e kryebashkiakut Rama. Ata që akuzojnë vërejnë se Agjensia e kthimit të pronave i’u mor parlamentit dhe u vu në varësinë e Berishës, ata që mbrohen thonë se ajo vazhdon të jetë kështu edhe sot e gjithë ditës. Spakistët bërtasin se u ndryshua ligji që prona të mund të blehej me letra me vlerë, berishistët këmbëngulin se nuk kanë përfituar nga ky privilegj pasi tashmë transaksioni ishte kryer. Më ekstremistët akuzojnë se Berisha, si kryeministër, ka ushtruar influencë në këtë proces, avokatët kanë alibinë se në dosje nuk nuk ka asnjë dëshmi që e provon këtë. Mes këtyre barrikadimeve ekstremisht të largëta ajo që mbetet jetime është e vërteta. Pothuajse në gjithë pesazhin mediatik shqiptar, kryesisht si pasojë e militantizmit, mungon çdo lloj fact check që ti hyjë më thellë pretendimeve të akuzuesve dhe alibive të mbrojtësve.
Ky është problemi thelbësor i kësaj historie, ashtu si i dhjetra qindra të tjerave të ngjashme, që i zhveshin mediat nga roli i tyre, si informuese reale të të humburit të madh, që është publiku. E në këtë pikë, Berisha vërtet mund të ketë të drejtë, kur tregon me gisht nga banda e autoporlantëve të SPAK-ut. Ata nuk i bëjnë nder profesionit të gazetarit, pasi e kanë tradhëtuar atë. Por ama ish kryeministri nuk gjendet në pozitën më të volitshme për të bërë rolin e denoncuesit. Ai është vetë idhtar i promovimit të gjysëm të vërtetave dhe një nga përgjegjësit për ekzistencën e një sistemi ku partizanizanllëku mbyt informimin objektiv. Kjo po duket edhe njëherë në rastin e aktakuzës kundër tij.
REAGIMI I DYTË:
Shpërthimi nuk është lajm sepse Berisha i ka në natyrën e tij shpërthimet dhe shpesh merr përpara çfarë gjen. Debati ka lindur nga shpallja e akt-akuzës për dosjen Partizani, ku ai pretendon se po i biet në qafë dhe gazetarët po raportojnë ato që i quan shpifje të SPAK. A është e vërtetë një pjesë e pretendimit të Berishës? Them se po. Më ka bërë përshtypje edhe vetë, që ka gazetarë në emisione, që kur e pyet gazetarin se çfarë mendon, thotë këto i mendon SPAK-u. Ne kemi patur gazetarë apo analistë papagajë të PS dhe PD, kemi patur edhe gazetarë të bandave, të federative sportive, zgjedhin do të bëhen papagall i filanit. Pra ky konstatim i Berishës, është deri diku i vërtetë, por them se Berisha nuk është viktima e kësaj. Berisha e ka ngritur këtë sistem të të vërtetave alternative. Mediat e mia që thonë gjysmë të vërteta dhe mediat e kundërshtarit. Berisha me benefitet ekonomike, ka arsenal mediatik dhe e vërtea e tij nuk censurohet, nuk vuan nga kjo. Fenomeni i gazetarëve të SPAK ekziston por ai nuk është njeri i censuruar. Viktima e madhe këtu është publiku. Kemi ngritur një sistem, që u pa edhe në dosjen Partizani, që ca thonë gjysmë të vërteta dhe publiku nuk merr vesh të vërtetën reale. Nuk kemi raportime me dy-tre burime. Ose je totalisht pro Berishës, ose totalisht kundër. Është lexuesi viktima dhe jo Berisha. Fajtorë janë Rama, Meta, Berisha, por ndërkohë, a do të kishim Metën, Ramën dhe Berishën kaq të zinj, nëse ne, drejtësia, shoqëria civile, nuk do të ishim dorëzuar nga pak të gjithë? Pra edhe këta do të ishin pak më të mirë. SPAK ka krijuar një bandë dezinformatorësh që shpërndajnë lajme. Banda e SPAK është rrezik
REAGIMI I ANILA HOXHËS:
I dashur Bushat! Vendosa të rrëfehem. Ndaj po tregoj se si funksionon Banda e gazetarëve të SPAK me një nga krimet që TI nuk e di që ta kemi bërë ne! NE, Banda e gazetarëve te SPAK , kur prokurorët të kërkuan të paraqiteshe NE të morëm peng dhe të pyetëm me dhunë atë ditë e në vijim. Ti ishte thirrur nga SPAK për cështjen e të dhenave personale , dhe ne anulluam menjëherë pushimet dhe jetën luksoze prej banditësh. Zumë si pikë strategjike deren e SPAK dhe u vendosëm aty. Ca nga një anë e ca nga ana tjetër. Nja 20 kameramanë gati për të qëlluar , u vendosën përballë . Qëndruam palëvizur jo në ajër si papagajtë por në këmbë, se na thanë ky sport është më i kërkuari. Madje, madje nuk u lodhëm asnjë cikë duke të pritur. Kur dole , ishim këmbengulës , të rrethuam me mikrofonë dhe stë lamë te ikje. Nga do na ikje ne jemi shumë të rrezikshëm dhe nuk na shpëtoje dot. Dhe u dorëzove , ti fole dhe publiku degjoi shkeljet që ishin bërë nga SPAK për Lapsin dhe lirinë e medias. Në atë kohe rezulton se banda të dhunoi me pyetje , të keqtrajtoi mbasi ishte gozhduar me orë të tëra në derë te godinës se qelqtë. Secili kishte nje rol në atë krim të bandës, njëri hyri live, tjetri shqetesohej mbi standartin qe po ndiqte SPAK me sekuestrimin e pajisjeve te punës të gazetarëve. Secili veproi me shpejtësi precize sikur te ishte snajper, duke njoftuar ndonjë anëtar te bandës që mungonte . E urdhëruam që te paraqitej shpejt në SPAK se " nuk mund të bënim si palaco" dhe të të linim vetëm. Kjo bandë e rrezikshme, nga më te rrezikshmet që ka parë Shqipëria raportoi hap pas hapi dinamikën e veprimeve të prokurorisë , gjyqësorit. Në finale edhe Strasburgun në menyrë aq te organizuar saqë konkurron edhe Cosa Nostrën. Më pas banda e la derën e SPAK . U kthye në redaksi dhe u kujdes që për gjëmën e dhunimit të medias të raportonte përtej orarit zyrtar dhe të ishte prezente edhe ne edicionet e tjera!