
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të dalë këtë të shtunë para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Seanca pritet të nisë në orën 12:30. Një ditë më parë seanca u shty me kërkesë të avokatëve të Beqajt, të cilët kërkuan kohë për tu njohur me aktet hetimore. Seanca e kësaj të shtune do të drejtohet nga gjyqtarja Rudina Palloj.
Akuzat e ngritura ndaj tij janë disa, një ndër to është abuzimi me fondet e Bashkimit Europian. Por Beqaj nuk është i vetmi, të cilit i janë tundur prangat. Në total SPAK ka lëshuar 7 masa sigurie, në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e BE, në kohën kur Beqaj drejtonte SASPAC. Në pranga bashkë me ish-zyrtarin socialist kanë rënë dhe dy njerëz të besuar të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Për dy persona të tjerë, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini, është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje. Beqaj akzuohet se ka abuzuar me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC, ku përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ka përfituar shuma të mëdha parash përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë. Në dosje evidentohet për konferencën 'Festa' mbajtur në datat 03-05 Prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura. Fatura e parë, 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra në total, dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ky është vetëm një episod në njoftimin e plotë të nxjerrë nga SPAK. Gjithsej janë 8 të tilla, por nuk ka një total të parave që kanë përfituar nga fondet e Bashkimit Europian./ZËRI