
TIRANË- Në banesën e kreut të arrestuar të ARRSH-së, Evis Berberi, janë gjetur shuma të madha parash cash, që sipas SPAK janë përfituar në mënyrë të paligjshme. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se në banesën e Berberit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë gjetur 40 milionë lekë të vjetra, si dhe sende të tjera me vlerë.
Mes tyre dhe piktura të kushtueshme, të cilat Berberi pretendonte se iu kishte realizuar vetë. Në total, përmes manovrave me kompanitë, Beberi dyshohet se ka përfituar tendera me vlerë 2.3 milionë euro, nga institucionet që drejtonte vetë. ZËRI mëson se hetimet për Berberin janë duke u zgjeruar, nëse kompanitë e lidhura me të kanë përfituar tendera në mënyrë të paligjshme dhe nga institucione të tjera publike.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK mbrëmjen e djeshme, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ai është vënë në pranga rreth orës 19:40 në zyrën e tij, duke rrëzuar kështu lajmin se ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të ARRSH-së. Veç Evis Berberit, SPAK ka lëshuar urdhër-arresti edhe për dy ish-ortakët e Valter Bengaj dhe Ervis Lami.
/ZËRI