Aktualitet

Konflikti te ‘Kepi i Rodonit’, shpallet në kërkim shoferi i Mark Frrokut, qëlloi me armë

Besnik Toma është një prej njerëzve besnikë të Mark Frrokut, shoferi i tij prej më shumë se 10 vitesh

E.K
Konflikti te ‘Kepi i Rodonit’, shpallet në kërkim shoferi
Mark Frroku

DURRËS- Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me arrestimet që kanë ndodhur pas sherrit për pronat në Kepin e Rodonit, ku në mesin e personave të vënë në pranga është dhe ish-deputeti Mark Frroku. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim shoferin e tij, shtetasin Besnik Toma, i cili është edhe personi që ka qëlluar me armë sipas bluve në qytetin e Durrësit.

Vetë Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që banorët e fshatit Shetaj, që po ashtu pretendojnë pronësinë e tokës akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje” dhe vetëgjyqësi.

Të prangosurit e tjerë, përveç Frrokut, janë identifikuar si: Bajram Kaculi, Orgito Reka, Ylli Reka, Erjon Reka, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.

Besnik Toma, i shpallur sot në kërkim, rezulton të jetë prej më shumë se 10 vitesh, shoferi i Frrokut. Emri i tij ka dalë në skenë prej vitit 2015, kohë kur ndodhi dhe arrestimi i parë i Frrokut, në kohën që ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Toma asokohe sipas Prokurorisë kishte kontakte të shpeshta me Durim Bamin, një personazh i skeduar disa herë nga policia për vepra të ndryshme penale, të ndodhura kryesisht në zonën e Fushë Krujës.

Njoftimi i policisë:

U konfliktuan me sende të forta me njëri-tjetrin, në kepin e Rodonit, për motive pronësie, arrestohen në flagrancë 8 shtetas (nga të dyja palët në konflikt).

Vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:  B. K., E. R., O. R. dhe Y. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”; M. F., A. L., P. D. dhe M. L., për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. 

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., për veprën penale “Moskallzimi i krimit”, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit B. T. 

Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.   

Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.  

Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.  

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB