
TIRANË- "Tym i bardhë" nga takimi mes studentëve të Mjekësisë dhe rektorit Arben Gjata, ku në fund të të cilit është njoftuar se do t’i jepet fund bojkotit të auditoreve.
Në fund të takimit studentët janë shprehur se kanë marrë garanci nga rektori Gjata, se nuk do të firmosin asnjë kontratë derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për çështjen e tyre.
Studentët nuk do të kenë asnjë penalizim për mungesat gjatë gjithë këtij muaji, dhe së bashku me Fakultetin do të gjendet një mënyrë për zëvendësimin e orëve të humbura. Studentët e Mjekësisë shprehen se në rast se premtimi i dhënë nga Gjata do të shkelet, ata do të rikthehen sërish në bojkot.
Studentët kanë kërkuar që të kenë gjithashtu një takim me ministren e arsimit Ogerta Manastirliu dhe atë të Shëndetësisë Albana Koçiu.
Prej një muaji studentët mbushën sheshet me protestat e tyre, ndërkohë që auditoret ishin bosh për 4 javë. Studentët kundërshtuan punësimin e detyrueshëm të tyre, në të kundërt ishin të detyruar që të paguanin një tarifë të majme studimi.
Pas përplasjeve të vazhdueshme dhe injorimit të kërkesave të tyre nga qeveria, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të shprehet. Studentët e dërguan çështjen në Kushtetuese me firmat e rreth 30 deputëve të opozitës. Qeveria e ka renditur mjekësinë në degët prioritare, ndërkohë që studentët e mjekësisë e cilësojnë një shkelje të të drejtave të tyre, mungesën e lirisë për të zgjedhur se ku duan që ta zhvillojnë karrierën e tyre. /Zëri.ai