TIRANË- Drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Ardian Koni ka shkelur qartazi ligjin lidhur me pasuritë e Klement Balilit, në Sarandë. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, administratori, Ardian Koni, ngriti një komision, ku dy nga anëtarët e komisionit që do bënin vlerësimin, morën më pas pronat e Balilit. Pra, administratorët e këtyre pasurive A.B. dhe E.R. kanë qenë pjesë e komisionit për vlerësimit e çmimit të tregut për këto apartamente.
"Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara sipas vendimit nr. 28, datë 21.11.2017 dhe lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda me vendim nr. 11, datë 05.02.2018, ka patur në administrim Shoqërinë “S. Q. P. R.” dhe Apartamentet në pronësi të shtetasve K. dhe B.B. Administratorët e këtyre pasurive A.B. dhe E.R. kanë qenë pjesë e komisionit për vlerësimit e çmimit të tregut nr. 54/1, datë 25.01.2017 për çmimet e këtyre apartamenteve. Ligji nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, e ndalon lidhjen e kontratave ndërmjet institucionit publik, në të cilin ushtrojnë funksionet zyrtarët dhe personave juridik “Shoqëria, S. Q. P. R.” përfaqësuar nga A.B. dhe E.R., të cilët janë edhe Administrator të AAPSK-së,"-shkruhet në raportin e KLSH.
Megjithatë, kjo nuk ishte shkelja e vetme!
Rezulton se pagesat nuk janë kryer sipas afateve të përcaktuara, pra brenda datës 5 të çdo muaji. E po ashtu, ligji parashikon se për çdo ditë vonesë nga data e caktuar, qiramarrësi do të paguajë kamatë vonesë 0.1% të shumës së qirasë. Por, as kjo nuk ka ndodhur.
PJESË NGA RAPORTI:
65. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, sipas vendimit nr. 28, datë 21.11.2017 dhe lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda me vendim nr. 11, datë 05.02.2018 ka vendosur sekuestrimin e 12 apartamenteve me vendndodhje në Sarandë, në pronësi të shtetasve K. dhe B.B. Apartamentet janë si më poshtë vijon:
-Apartament 1/5, me sipërfaqe 53,5 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/6, me sipërfaqe 67 m² i përbërë nga 3 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/7, me sipërfaqe 91 m² i përbërë nga 3 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/13, me sipërfaqe 67 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/14, me sipërfaqe 42.5 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/35, me sipërfaqe 42.5 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 1/46,me sipërfaqe 72 m²
-Apartament 2/2, me sipërfaqe 52.5 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 2/3, me sipërfaqe 57 m²
-Apartament 2/13, me sipërfaqe 67 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon;
-Apartament 2/22, me sipërfaqe 42.5 m² i përbërë nga 2 dhoma, 1 sallon, 1 depo, banjo dhe
ballkon;
-Apartament 2/41, me sipërfaqe 66 m² i përbërë nga 2 dhoma, banjo dhe ballkon.
Kryeadministratori ka nxjerrë Urdhrin e Brendshëm nr. 54, datë 15.01.2018 “Për ngritjen e komisionit të vlerësimit të çmimeve të tregut për pasuritë e sekuestruara”. Në procesverbalin e mbajtur nga komisioni për vlerësimit e çmimit të tregut nr. 54/1, datë 25.01.2017 propozimi i çmimit për apartamentet të jetë:
Apartament 1/5, 8990 lekë /muaj;
Apartament 1/6, 11260 lekë /muaj;
Apartament 1/7, 15300 lekë /muaj;
Apartament 1/13, 11260 lekë /muaj;
Apartament 1/14, 7200 lekë /muaj;
Apartament 1/35, 7200 lekë /muaj;
Apartament 1/46, 12,200 lekë /muaj;
Apartament 2/2, 8850 lekë /muaj;
Apartament 2/3, 9600 lekë /muaj;
Apartament 2/13, 11260 lekë /muaj;
Apartament 2/22, 7200 lekë /muaj;
Apartament 2/41, 11260 lekë /muaj.
Nga auditimi i zbatimit të kontratës së qirasë nr. 694, datë 04.07.2018, midis AAPSK-së dhe qiramarrësi Shoqëria “S. Q. P. R.”, me përfaqësues E.R. dhe A.B. rezulton se pagesat nuk janë kryer sipas afateve të përcaktuara në kontratë në kundërshtim me pikat 5.4, 5.5, 5.6 të Kontratës së Qirasë ku citohet se pagesa është parapagim dhe bëhet brenda datës 5 të çdo muaji si dhe për çdo ditë vonesë nga data e caktuar Qiramarrësi do të paguajë kamatë vonesë 0.1% të shumës së qirasë. Afati i kontratës është 04.07.2018-03.01.2019. Kontrata e Qirasë nr. 694, datë 04.07.2018 midis AAPSK-së, përfaqësuar nga Kryeadministratori dhe Shoqërisë “S. Q. P. R.” me përfaqësues E.R. dhe A.B., e administruar nga AAPSK është lidhur në kundërshtim me Ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar. Referuar Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, Kreu III, neni 21 citon: Pavarësisht përcaktimeve në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, nuk mund të lidhet kontratë ndërmjet institucionit publik, në të cilin ushtron funksionet zyrtari dhe çdo institucioni publik, në varësi të këtij institucioni nga njëra anë, dhe një personi fizik, civil ose tregtar, ose person juridik, si dhe çdo ortakëri ndërmjet këtyre personave, nga ana tjetër, kur: a) zyrtari ka kompetencë thelbësore dhe përcaktuese në vlerësimin e ofruesve dhe të ofertave dhe përcaktimin e termave të kontratës; Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara sipas vendimit nr. 28, datë 21.11.2017 dhe lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda me vendim nr. 11, datë 05.02.2018, ka patur në administrim Shoqërinë “S. Q. P. R.” dhe Apartamentet në pronësi të shtetasve K. dhe B.B. Administratorët e këtyre pasurive A.B. dhe E.R. kanë qenë pjesë e komisionit për vlerësimit e çmimit të tregut nr. 54/1, datë 25.01.2017 për çmimet e këtyre apartamenteve. Ligji nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, e ndalon lidhjen e kontratave ndërmjet institucionit publik, në të cilin ushtrojnë funksionet zyrtarët dhe personave juridik “Shoqëria, S. Q. P. R.” përfaqësuar nga A.B. dhe E.R., të cilët janë edhe Administrator të AAPSK-së./Zëri.ai