TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shpërndarë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shtetasit shqiptarë që do të ndjekin nga afër Kombëtaren Shqiptare të Futbollit në Gjermani. MEPJ njofton të gjithë shqiptarët se gjatë gjithë kampionatit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani do të ofrojë shërbime konsullore në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet. Ndaj ka ndarë edhe një listë me qytetet dhe adresën e saktë se ku mund të gjejnë zyrat e konsullatave shqiptare.
“Në Dortmund – më 14-15-16 qershor 2024, në adresën: Märkische Straße 120 (Seminar Gebaüde), 44141 Dortmund (Dhoma e Tregtisë e Dortmundit – IHK). Në Hamburg – më 18-19-20 qershor 2024, në adresën: Rothenbaumchaussee 133, 20149 Hamburg (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg). Në Dyseldorf – më 23-24-25 qershor 2024, në adresën: Bilker Str. 29, 40213 Düsseldorf (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf). Ky projekt ka si qëllim mbështetjen e shtetasve shqiptarë, të cilët mund të përballen me mungesën e dokumenteve të udhëtimit. Shërbimet që do të ofrohen janë leje kalimi dhe vetëdeklarim për humbje dokumenti. Në rast emergjencash shtetasit e interesuar janë të lutur të kontaktojnë në adresën e e-mailit: [email protected] dhe +49 1719259782,”-njofton MEPJ.
POSTIMI I PLOTË:
Ndeshjen e parë Shqipëria e ka ndaj Italisë më 15 Qershor në Dortmund. Më pas, 3 ditë më vonë, kuqezinjtë do të përballen me Kroacinë në Hamburg, për të mbyllur më pas ndeshjen e fundit në Dyseldorf, ku do të përballen me Spanjën më 24 Qershor./ZËRI