TIRANË-Mëngjesin e 12 qershorit SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërmori një operacion kundër një grupi kriminal, për të cilin lëshoi 20 masa sigurie, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në vlera të mëdha. Por ndryshe nga operacionet e tjera këtë herë rrjeta e SPAK u shtri në dhjetëra biznesmenë si: Artur Shehu, Ilir Shtufi, Orest Sota e Orgest Birçaj.
Aksioni çoi në goditjen e grupeve të dyshuara kriminale të përfshirë në trafikun e rreth 6.7 tonëve kokainë nga Amerika Latine. Dyshohet se të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet kriminal janë investuar më pas në projekte ndërtimi në Shqipëri. Në qendër të hetimeve janë grupet e drejtuara nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koçeku dhe Alfredo Hamzai. Listës i shtohen edhe Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”.
SPAK bën me dije se hetimet janë mbështetur edhe në analizën e komunikimeve të përftuara nga platforma e enkriptuar SKY ECC, si dhe përgjime telefonike, të cilat kanë ndihmuar në dokumentimin e veprimtarisë së grupit kriminal dhe lidhjeve mes personave të përfshirë. Sipas hetimeve, personat nën hetim dyshohet se kanë investuar të ardhura me burim kriminal në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.
Dosja e SPAK e siguruar nga ZËRI ka dokumentuar disa nga episodet më të rëndësishme të hetimeve, me emra, porosi dhe nënshkrime noteriale.
Në një pjesë tjetër të dosjes theksohet se personat nën hetim kanë kryer takime edhe jashtë shtetit dhe kanë komunikuar në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë, pa dhënë emra apo detaje konkrete për ta. Në dosje përmenden emrat e disa personave nën hetim, përfshirë Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në zhvillimin e vilave në kompleksin “Green Coast” në Palasë, si dhe në prona të tjera në zonën e Zvërnecit.
Kjo e fundit dyshohet të jetë tjetërsuar duke iu shtuar në dokumente sipërfaqja nga 5.800 m² në 32.000 m². Prona është regjistruar fillimisht në emër të trashëgimtarëve dhe më pas është transferuar te Artur Shehu, me kontratë shitjeje për vlerën 480 milionë lekë. Një nga pasuritë e ngritura nga paratë e drogës është edhe kulla te “Rruga e Kavajës” në Tiranë, e quajtur “Garden Building”.
SPAK ka sekuestruar dhe bllokuar nga disa biznese deri te llogaritë bankare. Është sekestruar biznesi i makinave me qira, Top Seven, që ndodhet pranë ish-Prakut të Autobusëve në Tiranë. Biznesi dyshohet se i përket në pronësi biznesmenit Orges Birçaj.
Në kuadër të këtij megaoperacioni janë sekuestruar edhe 128 milionë euro në 3 llogari të noteres Amela Mukaj, para të cilat ishin paguar nga “Albanian Land Development” dhe biznesmeni Artur Shehu.
SPAK ka njoftuar se janë sekuestruar vila në zona bregdetare si Green Coast në Palasë, Gjilekë, Jalë dhe Vuno, si dhe vila në Rolling Hills në Tiranë. Po ashtu, janë përfshirë edhe apartamente, truall dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe qytete të tjera.
Në total janë sekuestruar 336 llogari bankare në banka të nivelit të dytë, si dhe pasuri të tjera financiare dhe të paluajtshme, përfshirë shuma që kalojnë disa miliona euro.
Gjykata ka vendosur gjithashtu bllokimin e të drejtave për përfitim nga shpronësimet, me vlerë mbi 350 milionë lekë.
Sekuestrimi përfshin edhe shoqëri tregtare, hotele, mjete lundruese dhe automjete luksoze si Lamborghini, Mercedes-Benz dhe Audi S8, të dyshuara si të lidhura me aktivitetin kriminal./ZËRI