Aktualitet

Kërkoi vrasjen e patronazhistëve dhe rrahjen e policëve, policia nis hetimet për Genc Gjokutajn

Gjokutaj akuzohet për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme"

E.K
Kërkoi vrasjen e patronazhistëve dhe rrahjen e policëve, policia
Genc Gjokutaj

TIRANË- Policia e Tiranës ka proceduar penalisht avokatin Genc Gjukutaj, pas thirrjeve të tij për revoltë të armatosur në rrjetet sociale. Procedimi ndaj avokatit mbrojtës të ish-kryeministrit Berisha ka nisur për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”. 

Në një postim në rrjetet sociale, Gjokutaj bënte thirrje për revoltë të armatosur, pasi sipas tij diktaturat nuk mund të rrëzohen me ndryshime në kodin zgjedhor, duke iu referuar votimit të djeshëm në Kuvend.

Gjokutaj bënte thirrje për dhunë e mosbindje ndaj punonjësve të policisë, si dhe për vrasjen e patronazhistëve dhe thyerjen e sporteleve. Pak ditë më parë për thirrje të ngjashme, për përdorimin e armëve, u vu nën hetim dhe avokatja tjetër e famshme në radhët e opozitës, Adriana Kalaja. Hetimet ndaj saj nisën për veprën penale të kanosjes. 

NJOFTIMI I POLICISË: 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasit G.Gj., me profesion avokat, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal.

Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, është konstatuar një postim, i publikuar nga shtetasi G. Gj., i cili bën thirrje për të kryer veprime të dhunshme, postim ky i cili konstatohet se është publikuar dhe në media të ndryshme online.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB