
TIRANË- Bashkëshorti i edukatorës, Rudina Gërdani, që abuzoi me të miturin është nën hetim. Hetimet ndaj tij, vijnë pasi Lorenc Rrapa, babai i 3-vjeçarit, e denoncoi atë se e kërcënoi. Sipas Rrapës, 63-vjeçari e kërcënoi atë që të mos denonconte rastin në Polici.
“63-vjecari I.G është bashkëshorti i shtetases Rudina Gërdani e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në kopshtin ku punonte si edukatore ndërsa procedimi ndaj tij nisi pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ka kanosur shtetasin Lorenc Rrapa (babain e të miturit)”, njofton Policia.
Babai i 3-vjeçarit Priam, tha se i biri i tij ishte dhunuar nga edukatorja e kopshtit “Gledis” në Astir. Rasti u zbulua nga nëna e të miturit, e cila teksa po i bëntë dush vëreu si ishte nxirë në krahë. Djali pohoi se të nxirat i ishin shkaktuar nga edukatorja dhe ajo e keqtrajtonte. Pas kësaj, Rrapa, kërkoi pamjen e kamerave të kopshtit ku dhe u konstatua se Gërdani keqtrajtonte fëmijët në kopësht. Lorenci tha se pas kësaj bëri denoncimin në Polici.
Më tej ai shtoi se kur edukatorja e ka mësuar, i ka telefonuar për t'i bërë presion dhe kur bashkëshorti i saj mësoi se do ta denoncojë e ka kërcënuar.
“Edukatorja e ka marr vesh, më kanë telefonaur, më kanë bërë presion, burri i vetë më ka thënë mos ik në polici se e zgjidhim ndryshe. Unë i kam thënë nuk zgjidh për fëmijën tim asgjë kështu i thash. Ai më tha “do shihemi ndryshe bashkë”, “Si të duash shihemi i thash”. Kam shkuar në komisariat mbrëmë. Bera kallëzimin e çdo gjë ka qenë në rregull. Nëpërmjet kërkimeve të mia personale mora vesh që edukatorja nuk është paraqitur në Komisariat. Sot shkova prapë te komisariati, te oficeri i policisë kam bërë një kallëzim tjetër sepse më kanë bërë prapë presion njerëzit e saj. Unë dua të them që unë nuk trembem”, tha ai.
Pasi uniformat blu morën kallëzimin, shkuan për ta shoqëruar edukatoren në Komisariat, por nuk e gjetën në banesë. /ZËRI