
BRITANI E MADHE- Oficerët e Policisë britanike kanë vendosur në pranga disa anëtarë të një bande shqiptarësh që dyshohet se fshihen pas një sërë grabitjesh në pjesë të ndryshme të Anglisë, përfshirë qytete në të ashtuquajturin "Trekëndëshi i Artë i Cheshire", shumë i preferuar nga personat e famshëm. Në pranga përfunduan tre shqiptarë, të moshës 27, 28 dhe 30 vjeç. Policia gjithashtu ndaloi një grua 33-vjeçare, shtetase britanike, por nuk ka zbuluar identitetin e asnjërit prej tyre.
Në një prononcim për "Dailymail", detektivi Dave Jarvis lëshoi një paralajmërim për grabitësit: Pavarësisht se ku jetoni, apo sa shumë përpiqeni të fshiheni, oficerët tanë do të vijnë për ju dhe do të arrestoheni.
Po ashtu, mediat britanike kanë ndarë pamjet e arrestimit të tyre në kuadër të operacionit "Ambler" - një aksion i vazhdueshëm policor që përfshinte forca të shumta angleze që synonin të ndalonin aktivitetin e bandave shqiptare. Pretendohet se shqiptarët kanë kryer 37 vjedhje “të sofistikuara” që ndodhën midis tetorit dhe marsit në të gjithë vendin.
Grabitësit kanë hyrë me forcë nëpërmjet dritareve dhe dyerve të katit të parë dhe nga të gjitha banesat kanë dalë me më shumë se 1 milion paund sende me vlerë, pa llogaritur paratë "cash". Shumë nga sendet me vlerë iu gjetën në banesën që u kontrollua nga Policia, mes të cilave kishte ora të shtrenjta dhe çanta "firmato"./ZËRI