
TIRANË- Petrit Muhameti, pronari i firmës "VAS Konstruksion", ka dëshmuar para SPAK në lidhje me kompaninë dhe përfshirjen e tij në dosjen "5D". Në dëshminë e tij para trupës gjykuese, Petrit Muhameti ka treguar se është bërë pronar i firmës në vitin 2016-2017, falë ofertës që i kishte bërë dhëndri i tij, Alfred Qato, vëllai i Mariglen Qato. Sipas dëshmisë së tij, dhëndri i kishte premtuar se nuk do të punonte dhe nuk do të merrej me "punët" e kompanisë, por vetëm duhet të firmoste.
“Kam në pronësi një furrë buke prej 16-17 vitesh. Më ofruan të bëhesha pronar i VAS Konstruksion, më thanë që është një firmë e mirë dhe unë vetëm duhet të firmos, ndërsa stafi do punonte. Dy herë shkova në bankë, pas një viti e shita kompaninë sepse pata një operacion në zemër dhe mjeku më rekomandoi të largohesha nga streset. As kur e bleva, as kur e shita, nuk mora asnjë lekë. As Nestor Muhametllarin, kur erdhi si administrator, nuk më ka kaluar para,”- shtoi ai.
I pyetur për Eduard Metën, ish-pronarin e IGOR Electric, Petrit Muhameti tha se nuk e njihte personalisht, por vetëm kishte dëgjuar që kishte pasur atë kompani më parë.
“Më kanë pyetur edhe te Byroja për këtë. Nuk e njoh zoti prokuror. Nuk e di kush është. Mora vesh se ky kishte kompaninë IGOR para meje, por tani e kam marrë vesh. Më tha Fredi që hap një numër llogarie. Fitimin e kompanisë do e procesonim nga banka. Më pëlqeu se thashë është punë me bankë. Puna ishte 25 minuta, ia jepja Fredit. Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë. Shumat ishin: 42 milionë më e madhja, 32, 37, 38, 40, 18 milionë ishte më e vogla. Më tha Fredi mua, ta takoja Nestorin. Me Mariglen Qaton, kemi marrëdhënie krushqie. Në vitin 2006 erdhi se më vdiq babai. Në 2011, te dasma e vajzës dhe për ditëlindjen e nipit 10 vjet më pas. Tre herë e kam takuar. Për Redi Mollën e dëgjova për herë të parë në televizor, kur u arrestua për grupin 5D”.
Në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”, ish-pronari i kompanisë "IGOR Electric", Eduard Meta, ka dhënë dëshmi para Prokurorisë së Posaçme. Meta ka treguar për periudhën e menaxhimit të tij në kompaninë elektrike nga viti 2016 deri në 2018. Ai theksoi se ka qenë administrator dhe ortak i vetëm deri në largimin e tij, kur në shoqëri u përfshi Nestor Muhametllari.
Gjatë dëshmisë së tij, Meta pranoi se kishte tërhequr 114 milionë lekë gjatë vitit 2016, shumica e të cilave sipas tij ishin shpenzuar për blerje të materialeve dhe pagime “nën dorë”, duke e konsideruar si praktikë të zakonshme për kohën. Ai shtoi se në vitin 2017 kishte shitur 75% të aksioneve të kompanisë për 75 lekë, duke shpjeguar se dëshironte të mbyllte aktivitetin e kompanisë për të nisur një biznes tjetër. Ndërsa i pyetur për lidhjet me të pandehurit në dosjen 5D, Meta u shpreh se kishte njohje sociale me disa prej tyre, përfshirë Mariglen Qaton, Redi Mollën dhe Nestor Muhametllarin. Por vetëm kaq! Sipas tij, ai nuk kishte pasur marrëdhënie të ngushta profesionale me asnjë prej tyre./ZËRI